Filmat e frikshëm si terapi! Ekspertët: Ndihmojnë në uljen e ankthit dhe përballjen me stresin

Një studim i ri psikologjik ka zbuluar se filmat horror, pavarësisht frikës që shkaktojnë mund të kenë efekte pozitive në shëndetin mendor duke ndihmuar njerëzit të përballen më mirë me stresin dhe pasiguritë e jetës së përditshme.

Sipas autorit dhe psikologut amerikan Coltan Scrivner nga universiteti i Arizonës në SHBA, ndjekja e historive të frikshme aktivizon në tru procese që ndihmojnë individin të mësojë si të reagojë në situata të vështira.

Studimi tregon se frika e përjetuar në mënyrë të kontrolluar përmes filmave horror ose librave mund të shërbejë si një ushtrim emocional që forcon rezistencën psikologjike.

Gjatë studimit shikuesit e filmave horror u ndanë në 3 grupe, Adrenaline Junkers që kërkojnë ndjesinë e fortë të frikës, White Knucklers që duan të provojnë ndjenjën e tejkalimit të frikës dhe Dark Copers që përdorin filmat horror për të përballuar ankthin apo depresionin.

Sipas Scrivner për këta të fundit shikimi i skenave të frikshme është një mënyrë për të testuar kufijtë e frikës dhe për të ndjerë siguri në jetën reale. Këto përvoja sipas tij i ndihmojnë njerëzit të kuptojnë më mirë reagimet e tyre emocionale dhe të zhvillojnë aftësi për vetëkontroll.

Një pjesë tjetër e studimit, e realizuar në Danimarkë vërtetoi se të njëjtat rezultate u shfaqën duke dëshmuar se ndjenja e frikës në kushte të sigurta mund të ketë vlera praktike. Po ashtu hulumtuesit gjatë pandemisë së Covid 19 treguan se adhuruesit e filmave horror ishin më të qëndrueshëm emocionalisht më të qetë ndaj lajmeve të frikshme dhe më të bindur në aftësinë e tyre për të përballuar vështirësitë.

Ekspertët sugjerojnë se efektet pozitive të frikës mund të përdoren edhe në trajtimin e ankthit.

Në Holandë për shembull studiuesit përdorin një video-lojë të quajtur MindLigh për fëmijët me ankth, e cila ndihmon ata të përballen me frikën përmes lojës.

Scsivner beson se historitë horror mund të përdoren si terapi si një mënyrë për të mësuar trurin të menaxhojë emocionet negative ne mënyrë të sigurt.

“Tmerri na lejon të luajmë me ndjenjën e frikës pa qenë në rrezik real”, thotë ai, duke shtuar se: “një libër apo film horror i përzgjedhur më kujdes mund të shërbejë si mjet i vlefshëm për qetësinë e ruajtur në moment kritike dhe forcimin e durimit emocional”.


Shtuar 27.10.2025 13:45

Tags: ,