Ekstradohet nga Greqia 39-vjeçari i akuzuar për tentativë vrasjeje në Korçë (EMRI)

Ditën e sotme, një 39-vjeçar i kërkuar dhe akuzuar për tentativë vrasjeje në Korçë, është sjellë nën pranga nga Greqia për llogari të Interpol Tiranës.

I ekstraduari është Deni Meçolli, teksa agjentët e Interpol Athinës ia dorëzuan nën pranga homologëve të tyre për veprime të mëtejshme. Ndaj tij kishte masë sigurie në mungesë “arrest me burg”.

Meçolli akuzohet se më datë 4 shkurt 2025, në lagjen nr. 2, Korçë, ka tentuar të vrasë për motive të dobëta Ergyst Shtylla, 40-vjeç, duke e goditur me thikë, në kraharor.

Pas krimit ai u arratis drejt vendit fqinj, ku dhe u fsheh deri në prangosje.

Greqia njoftoi arrestimin e Meçollit më 15 korrik të këtij viti dhe nisi procedurat e ekstradimit.

Njoftimi i Policisë së Korçës:

“Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet strukturave të Interpol Tiranës dhe të Interpol Athinës, u finalizua procedura për ekstradimin nga Greqia, në Shqipëri, të shtetasit:

M., 39 vjeç, banues në Korçë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, sepse në muajin shkurt 2025, Gjykata e Korçës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”.

Shtetasi D. M. akuzohet se më datë 04.02.2025, në lagjen nr. 2, Korçë, ka tentuar të vrasë për motive të dobëta, shtetasin E. Sh., 40 vjeç, duke e goditur me thikë, në kraharor.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, të DVP Korçë, kryen veprimet procedurale për ekzekutimin e vendimit penal”.


Shtuar 21.10.2025 11:49