Sali Berisha: Kontrata e Aeroportit të Vlorës është abuzive, qeveria do paguajë 20 mln më shumë nga sa ka kushtuar

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, denoncoi aferën e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës në dëm të buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë, duke e cilësuar një korrupsion të pastër, ku është përfshirë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, zv/kryeministrja Belinda Balluku.

Kreu i PD-së, theksoi se tani shteti do i paguajë koncesionarit mbi 130 mln euro nga buxheti, si pasojë e kontratës që kanë nënshkruar dhe tani sipas tij, kanë nisur grindjet për ndarjen e pazareve dhe parave.

“Kontrata e Ramës dhe Lubi Ballukut për aeroportin është abuzive, kontrata parashikon numrin e biletave nën numrin e parashikuar. Sipas kontratës ultrakorruptive, qeveria do i paguajë mbi 9 mln euro koncesionarit, ndoshta edhe më shumë. Qeveria do paguajë 135 mln euro, do paguajë 20 mln euro më shumë nga çfarë ka kushtuar aeroporti, koncesionari do përfitojë në mënyrë masive. De fakto këto ndahen mes Lubisë dhe koncesionarit. Nuk mund të ndodhë kurrë kjo, në vend që t’i kalojnë shtetit, shteti u paguaj atyre 130 mln euro për ndërtimin e aeroportit. Tani që aeroporti i afrohet fundit, kanë shpërthyer pazaret, si do i ndajmë, ka shpërthyer një grindje e brendshme, por mua s’më intereson fare”, tha Berisha mes të tjerash në fjalën e tij gjatë konferencës për mediat.

Më tej, ai shpjegoi se aeroporti nuk ka as cilësi ndërtimi dhe supervizori ishte arratisur në Angli. Berisha vuri theksin edhe te mungesa e sigurisë për të kryer fluturime, pasi rrezikohen jetët e njerëzve.

“Një supervizues i firmës ia ka mbathur në Britaninë e Madhe. Një burim serioz më thotë se asfalti e pista është jashtë standardeve ndërkombëtare ndaj edhe është arratisur. Jashtë cilësisë ajo pistë, kjo ka problem madhor dhe sigurinë e jetëve të njerëzve. Ju e dini se kam qenë kundër ndërtimit të aeroportit, të cilin Lubia e servirte si më të madhi në Ballkan”, vijoi ai.

Në fund kreu i PD-së, nënvizoi se atje nuk ekziston asnjë parametër dhe për më tepër dëmtohet një nga pasuritë kombëtare, Laguna e Nartës.

“Asnjë parametër nuk ka ai aeroport. Unë mendoj se qëndronte si aeroport i Sarandës, ku pista është gati, apo ai mes Fierit dhe Vlorës, që përfshinte edhe Beratin e Gjirokastrën, e jo vetëm bregun. Por aspekti më i keq është shkatërrimi i Lagunës së Nartës me ndërtimin e këtij aeroporti”, u shpreh ai.


Shtuar 20.10.2025 13:33