Ish-presidenti amerikan Joe Biden, i cili së fundmi u diagnostikua me kancer të prostatës në stadin 4, është parë në publik për herë të parë që prej shpalljes së trajtimit të tij me rrezatim dhe terapi hormonale.
82-vjeçari mori pjesë në një Meshë në kishën katolike “St. Joseph” në Delaware, një vend që ai e frekuenton prej dekadash.
Biden u fotografua teksa dilte nga ceremonia 50-minutëshe, duke ecur ngadalë dhe i mbështetur tek një grua për ndihmë.
Një plagë e dukshme mbi syrin e djathtë, pasojë e një ndërhyrjeje të fundit për kancer në lëkurë, ishte ende e dukshme ndërsa përshëndeste besimtarët jashtë kishës.
I veshur me një kostum të errët, ai bisedoi për rreth 10 minuta me disa të pranishëm, para se të largohej vetëm, pa bashkëshorten e tij Jill Biden, e cila nuk e shoqëroi në këtë dalje publike.
Sipas zyrës së tij, Biden ka nisur një trajtim pesë-javor që përfshin terapi me rrezatim dhe ilaçe hormonale, pasi kanceri i është përhapur në kocka. Mjekët kanë deklaruar se bëhet fjalë për një formë agresive të sëmundjes.
Megjithatë, forma e kancerit është e ndjeshme ndaj hormoneve, që do të thotë se mund të menaxhohet përmes terapisë hormonale dhe mjekimeve të vazhdueshme.
Burime të afërta me familjen Biden konfirmuan se ai po merr trajtimin në shtëpi dhe nën kujdes të specializuar, përmes pilulave hormonale dhe seancave të rregullta mjekësore.