“Gjaku lahet me gjak”, mesazhi që shkruhet mbi lulet në nderim të shqiptarit që u vra me shkop bejsbolli

Një mesazh, duhet thënë tipik shqiptar është gjetur sot mes luleve të lëna në parkimin e një qendre tregtare në ‘La Favorita’, në Mantova të Italisë, aty ku natën mes të enjtes dhe së premtes së shkuar u vra brutalisht 23-vjeçari shqiptar, Atilio Ndreca, ndërsa 35-vjeçari italian, Pierfrancesco Ferrari përfundoi në koma.

‘Gjaku lahet me gjak’ është ajo çfarë shkruhej në atë letër të lënë pikërisht në vendin ku ishin vendosur lulet në nderim të të riut shqiptar, i cili së bashku me mikun e tij italian u sulmuan brutalisht me shkopinj bejsbolli e shufra hekuri. Ata u tërhoqën në një cep ku nuk kishte kamera, rreth orës 3 të natës, duke bërë që autorët e këtij sulmi brutal të enden të lirë.

Fotoja u publikua në një artikull nga mediat italiane, të cilat shkruajnë se, mesazhi që aludon për një hakmarrje të mundshme ndaj grupit që fshihet pas këtij krimi, i është dorëzuar karabinierëve që së bashku me prokurorinë po hetojnë ngjarjes.

Në vendngjarje autoritetet mësohet se gjetën veshje të mbuluara nga gjaku, që nuk i përkasin të rinjve, dhe që janë çuar për ekzaminim. Nga këto rroba hetuesit shpresojnë që të mund të bien në gjurmët e autorëve.

“Para se të gjenden nga ndonjë që do dojë të aplikojë rregullat e nderit të Kanunit, kanuni shqiptar që aplikohet ndonjëherë nga fiset”, shkruan e përditshmja italiane.

Sa i përket motiveve që çoi në këtë sulm barbar që i kushtoi jetën të riut shqiptar, media italiane shkruan se hetuesit janë ngurues për ta përcaktuar sulmin si një larje të mundshme hesapesh për shpërndarjen e drogës.


Shtuar 6.07.2021 21:16