Morën ryshfet pas aksidentit me pesë të plagosur, SPAK dërgon për gjykim tre punonjësit e Policisë Rrugore/ Si u bë “pagesa” nga biznesmeni për lirinë e të shoqes

Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre punonjës të Policisë Rrugore dhe dy shtetas për korrupsion aktiv dhe pasiv.

Bëhet fjalë për ish-shefin e Rrugores, Roven Zeka, ish-shefin e hetimit të aksidenteve, Sokol Novaku, oficerin e policisë gjyqësore Edison Tabaku, biznesmenin Ergest Vrioni dhe Bledi Belba.

Të lidhura

None found

Nga hetimet ka rezultuar se më datë 16 prill 2025, pas një aksidenti rrugor që ka ndodhur në orën 07:30, në Tiranë, janë përfshirë dy mjete, njëri i drejtuar nga shtetasja, Anisa Vrioni dhe tjetri nga shtetasi Andri Koçi. Personat që ndodheshin në mjetin e drejtuar nga ky i fundit janë dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.

Shtetasja Anisa Vrioni është shoqëruar në orën 10:00 në Komisariatin e Policisë nr. 3, Tiranë, duke u lënë e lirë në orën 13:00. Pas kësaj, ajo është dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.

Veprimet hetimore në lidhje me këtë rast janë kryer nga oficeri i policisë gjyqësore Edison Tabaku, i cili sipas hetimeve nga SPAK, kishte njohje të hershme me bashkëshortin e Anisës, të pandehurin Ergest Vrioni.

Mësohet se oficerii policisë gjyqësore Edison Tabaku, ka kërkuar dhe ka marrë në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga Ergest Vrioni shumën e parave prej dyqind mijë lekësh, në bashkëpunim me dy eprorët e tij, Roven Zeka dhe Sokol Novaku, të cilët e kanë kërkuar dhe marrë këtë shumë parash, me qëllim mosarrestimin e shtetases Anisa Vrioni.

Ndërkohë, Bledi Belba sipas hetimeve, ka ndërhyrë tek Roven Zeka dhe e ka ndihmuar Ergestin me shumën prej 1000 eurosh, për t’ia kaluar efektivëve, me qëllimin për të mos arrestuar bashkëshorten e tij.

Akuzat ndaj tyre:

Roven Zeka, me detyrë Shef Komisariati në Komisariatin e Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë; Sokol Novaku, me detyrë Shef Seksioni për Hetimin e Aksidenteve Rrugore në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë; Edison Tabaku, Specialist në Seksionin e Hetimit të Aksidenteve Rrugore, akuzohen për kryerjen e veprës penale, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” e kryer në bashkëpunim.

Ndërsa Ergest Vrioni dhe Bledi Belba akuzohen për kryerjen e veprës penale,“Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim.

Njoftimi i SPAK

SPAK dërgon për gjykim tre punonjës të Policisë Rrugore dhe dy shtetas për korrupsion aktiv dhe pasiv

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, procedimin penal, nr.91/1 të vitit 2023, në ngarkim të pesë të pandehurve, të akuzuar për veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv të funksionarëve të organeve të drejtësisë, të parashikuara nga nenet 319, 319/ç dhe 25 të Kodit Penal.

Të pandehurit

Roven Zeka, me detyrë Shef Komisariati në Komisariatin e Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë, Tiranë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç dhe 25 i Kodit Penal.

Sokol Novaku, me detyrë Shef Seksioni për Hetimin e Aksidenteve Rrugore në Komisariatin e Policisë Rrugore, Tiranë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç dhe 25 i Kodit Penal.

Edison Tabaku, Specialist në Seksionin e Hetimit të Aksidenteve Rrugore, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç dhe 25 i Kodit Penal.

Ergest Vrioni, shtetas i akuzuar për kryerjen e veprës penale,“Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 dhe 25 i Kodit Penal.

Bledi Belba, shtetas i akuzuar për kryerjen e veprës penale,“Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 dhe 25 i Kodit Penal.

Rrethanat e faktit

Nga hetimet ka rezultuar se më datë 16 prill 2025, pas një aksidenti rrugor që ka ndodhur në në orën 07:30, në Tiranë, janë përfshirë dy mjete, njëri i drejtuar nga shtetasja, Anisa Vrioni dhe tjetri nga shtetasi Andri Koçi. Personat që ndodheshin në mjetin e drejtuar nga ky i fundit janë dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.

Shtetasja Anisa Vrioni është shoqëruar në orën 10:00 në Komisariatin e Policisë nr. 3, Tiranë, duke u lënë e lirë në orën 13:00. Pas kësaj, ajo është dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Veprimet hetimore në lidhje me këtë rast janë kryer nga i pandehuri Edison Tabaku, i cili kishte njohje të hershme me bashkëshortin e Anisës, të pandehurin Ergest Vrioni.

I pandehuri Edison Tabaku, ka kërkuar dhe ka marrë në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga i pandehuri, Ergest Vrioni shumën e parave prej dyqind mijë lekësh. I pandehuri Edison Tabaku në kërkimin dhe marrjen e kësaj shumë ka vepruar në bashkëpunim me dy eprorët e tij, të pandehurit Roven Zeka dhe Sokol Novaku, të cilët e kanë kërkuar dhe marrë këtë shumë parash, me qëllim mosarrestimin e shtetases Anisa Vrioni. Bledi Belba ka ndërhyrë tek Roven Zeka dhe e ka ndihmuar Ergestin me shumën prej 1000 eurosh, për t’ia kaluar të pandehurve, me qëllimin për të mos arrestuar bashkëshorten e tij.


Shtuar 16.10.2025 16:25