BE: Zgjedhjet e 12 tetorit në Kosovë ishin transparente, presim certifikim të shpejtë të rezultateve

Bashkimi Evropian ka mirëpritur procesin e mbajtjes së raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë më 12 tetor.

Në një përgjigje për Telegrafin, Anitta Hipper, zëdhënëse e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë tha se këto zgjedhje ishin paqësore, konkurruese dhe gjithëpërfshirëse.

“Të dielën, qytetarët e Kosovës ushtruan të drejtën e tyre demokratike duke votuar në raundin e parë të zgjedhjeve lokale. Ne e mirëpresim mbarëvajtjen paqësore, konkurruese dhe gjithëpërfshirëse të këtij raundi të parë, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, si dhe një mbulim mediatik të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës që kontribuon në një proces zgjedhor transparent”, tha zëdhënësja e BE-së.

Tutje, BE-ja ka bërë thirrje për certifikim të shpejtë dhe zbatim të rezultateve në komunat ku kryetarët janë zgjedhur tashmë, si dhe për një proces të ngjashëm të qetë për balotazhin që do të mbahet më 9 nëntor.

“Për ato komuna ku kryetarët janë zgjedhur në raundin e parë, bëjmë thirrje për certifikim të shpejtë dhe zbatim të rezultateve përmes një tranzicioni të rregullt të qeverisjes lokale. Për komunat e tjera, ku do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve më 9 nëntor, bëjmë thirrje për një proces po aq paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës”, ka theksuar Hipper në përgjigjen e saj.

BE-ja nuk ka dhënë një përgjigje konkrete në pyetjen e Telegrafit për mundësitë e ndërhyrjes së Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë.

Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek të dielën falënderoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për mbështetjen në zgjedhje.


Shtuar 14.10.2025 16:15