Prej ditës së sotme, mjetet elektrike me dy rrota, nuk do të lejohen më të qarkullojnë në rrugët e vendit.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me policitë bashkiake në të gjitha qarqet, ka nisur bllokimin e tyre deri në një udhëzim të dytë.
Prej orëve të para të mëngjesit të së hënës, policia u pozicionua në disa prej segmenteve kryesore në kryeqytet për bllokimin e mjeteve elektrike me dy rrota.
Me dhjetëra qytetarë u ndaluan duke lëvizur me këto mjete. Ky vendim u respektua nga pjesa më e madhe, por ka edhe nga ata qytetarë të cilët janë të pakënaqur.
“Ta kisha ditur nuk kisha dalë, e kisha lënë në shtëpi atë”, tha një qytetar.
“Isha në dijeni për monopatinat elektrike, jo për motorat, Po këta, paskan dhënë urdhër për të gjitha mjetet elektrike”, shtoi një tjetër.
“Jam mësuese e gjuhës angleze edhe shkoj në kopshte të ndryshme të Tiranës. Më bën për distancën, që nga Kodrat e Diellit, e deri tek Selvia. Tani unë si një përdoruese e skuterit, njoh rregullat e qarkullimit, vendos kaskën, përdor korsinë e biçikletës, e mendoj që jam një shembull e rregullt e përdorimit të skuterit”, tha një qytetare.
Deklarojnë se duhet të jepej kohë, pasi këto mjete i përdorin në përditshmëri, por edhe për punë.
“Njerëzit duhet të njoftohen një muaj para, të marrin masa çfarë kërkon policia”, tha qytetari.
“Tani unë nuk e di si mund të ndalosh sot për nesër? Të anuloj unë punën? Të anuloj unë gjitha kontratat që kam me biznese e kopshte? Nuk është fare e zgjuar”, tha qytetarja.
Bllokimi i mjeteve elektrike me dy rrota erdhi pas shtimit të numrit të aksidenteve rrugore.
Gjithashtu, për shkak se përdoruesit e tyre kryejnë shkelje të tilla si qarkullimi në sens të kundërt, jo në korsinë e duhur, nuk respektojnë sinjalistikën horizontale dhe vertikale, nuk përdorin kaskë mbrojtëse dhe natën nuk përdorin jelek fosforeshent.
Autoritetet njoftuan se kjo masë ndalimi, do të vijojë deri në saktësimin e rregullave dhe hapësirave ku përdoruesit e këtyre mjeteve do të kalojnë.