“Veprim i nxituar”, OBSH reagon për lehtësimin e masave anti-Covid: Çfarë rrezikon të ndodhë në vjeshtë

Me nisjen e sezonit turistik ka nisur dhe lehtësimi i masave anti-Covid në shumë vende të botës. Por, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë lehtësimi i tyre është një veprim i nxituar.

Drejtuesit e Organizatës thonë se në vjeshtën e këtij viti rrezikon të përsëritet kriza e vitit të kaluar. OBSH iu bën thirrje vendeve në të gjithë botën të bëjnë kujdes me lehtësimin e masave anti-COVID. Kreu i emergjencave pranë kësaj organizate, Majk Rajan thotë se heqja e masave në mënyrë të nxituar rrit rrezikon e rikthimit të një tjetër vale të pandemisë.

“Kujtoni Verën e kaluar, kur gjithçka shkoi mirë dhe më pas, erdhi Shtatori e Tetori dhe përfunduam me vështirësi të mëdha”.

Rajan paralajmëron se një krizë si ajo e vjeshtës së kaluar mund të përsëritet sërish, sidomos kur në qarkullim është një variant, si Delta.

OBSH kërkon përshpejtimin e ritmeve të vaksinimit, pasi sipas ekspertëve të kësaj organizatave, vetëm imunizimi masiv i popullatës globale mund ta ndërpresë zinxhirin e përhapjes së COVID-19.


Shtuar 6.07.2021 18:12