Gazetarja serbe Dragana Nikoletiq, në një opinion të publikuar në portalin investigativ Radar, ngre shqetësime serioze mbi funksionimin e manastirit Tumane, të cilin ajo e përshkruan jo më si vend shenjtërie, por si instrument financiar në shërbim të pushtetit politik në Serbi.
Sipas saj, pas fasadës fetare dhe atmosferës shpirtërore që ofron ky manastir fshihet një rrjet i sofistikuar financimi paralel i partisë në pushtet, SNS.
Shuma të mëdha parash, të mbledhura nga qirinjtë, ikonat dhe “kontributet vullnetare”, përfundojnë jo në shërbimin e Kishës apo komunitetit, por në fondet e SNS-së – për blerje votash, organizim mitingjesh dhe ruajtje të makinerisë së pushtetit.
“Një dinar për qiri, një për ikonë, një për fjetje… dhe të gjitha këto me bindjen se po kontribuon për shpëtimin tënd. Por nëse këto para përfundojnë në një kasë partie politike – kemi të bëjmë me një problem të thellë shoqëror e moral”, shkruan ajo.
Një tjetër aspekt shqetësues që nxjerr në pah gazetarja është ndërthurja e mesazheve politike me predikimet fetare. Në Tumane, nënvizon ajo, po promovohet ideja se “kush mbështet Vuçiqin – mbështet edhe Zotin”, çka e bën ndarjen mes politikës dhe fesë thuajse të pamundur.
Në këtë kontekst, ajo përmend edhe rastin e kryetarit të SNS-së, Milosh Vuceviq, i cili në korrik u dekorua nga manastiri me Urdhrin e Shën Lukës si “shenjë mirënjohjeje për ndihmën dhe përkrahjen”.
Përveç portalit investigativ “Radar”, rreth këtij skandalin ka shkruar edhe mediumi serb TPKNEWS, sipas cilit manastiri Tumane është shndërruar në donatorin më të madh financiar të Partisë Progresive Serbe (SNS) gjatë dy viteve të fundit, duke kaluar në hije madje edhe oligarkët dhe grupet e interesit.
Vetëm gjatë muajve gusht dhe shtator 2025, më shumë se 2 milionë euro të mbledhura përmes donacioneve, qirinjve dhe kontributeve “vullnetare” të besimtarëve janë kanalizuar drejt fondeve të SNS-së, për të financuar mitingje, blerje votash dhe propagandë politike.
Në qarqet lokale, sipas mediumit hulumtues, Tumana, është pagëzuar tashmë si “pulë e artë e SNS-së”.
Duke iu referuar burimeve të brendshme mediumi raporton se, në Tumane promovohet hapur ideja se “kush mbështet Vuçiqin– mbështet edhe Zotin”, duke përzier besimin fetar me interesin politik.
“Ndërkohë që mijëra qytetarë presin për të prekur reliktet e shenjta, paratë e tyre përfundojnë në mbështetje të regjimit. Tumane, nga një vend pelegrinazhi, është kthyer në një qendër të fuqishme të financimit partiak”, shkruan mediumi.