Modelja shqiptare me famë ndërkombëtare, Angela Martini tregoi ditët e fundit sesi një kompani shqiptare përdori imazhin e saj për reklamën e një pije alkoolike jashtë kontratës dhe nuk e pagoi.
Për këtë arsye ajo nisi një rrugë ligjore dhe pas kësaj, kompania bllokoi shkrime promovuese të shkruara ndër vite për Angela Martinin, në mediat e veta dhe aty ku kishte akses.
Angela Martini foli me emra, mbiemra dhe rrëfeu edhe pjesën personale të historisë. Bëhej fjalë për kompanitë e familjes Hysenbelliu, me djalin e të cilëve, Fatmir Hysenbelliun, i njohur si Oni, kishte pasur një lidhje vite më parë.
Lidhja kishte zgjatur vetëm dy javë. Më vonë, sipas Angelës, e cila postoi dhe foto të mesazheve (në përgjigje të deklaratës së tij ku thonte se ajo gënjente), Hysenbelliu u përpoq ta kontaktonte sërish, edhe kur ajo ishte e martuar.
Pasi historia shpërtheu në rrjete, Angela publikoi mesazhe nga vajza që i shkruanin në privat, duke e akuzuar Onin për sjellje të ngjashme edhe me to…
Akuzat shkonin deri në ato të organizimeve të festave me alkool, seks, video regjistrimeve dhe pastaj shantazheve. Por dëshmitë e mesazheve anonime nuk u shoqëruan me fytyra e emra, dhe kur një vajzë nga Kosova u përmend me emër, për të cilën thuhej se Oni ia kishte shkatërruar jetën, ajo i mohoi kategorikisht akuzat.
Në vend të një solidariteti të gjerë, siç ndodhi me lëvizjen #MeToo në Amerikë, ku një zë mjaftoi që dhjetëra, qindra, mijëra të tjera të ngrinin kokën, në Shqipëri reagimi u shua shpejt. Kauza u kthye në thashetheme. Se nuk mund të denoncosh anonim.
Nga ana e tij, Fatmir Hysenbelliu reagoi ashpër, duke e quajtur “një sulm të orkestruar nga një femër e pamoralshme” dhe paralajmëroi veprime ligjore për shpifje. Ai u shpreh se nuk kishte dëmtuar askënd dhe se akuzat synonin të dëmtonin imazhin e tij dhe të familjes.
Në fund, çështja, siç edhe në raste të tjera të ngjashme, nuk u kthye në një debat mbi të drejtat e vajzave dhe grave apo mbrojtjen e viktimave të mundshme, as për prepotencën e meshkujve me pushtet, por në një duel virtual mes dy emrave publikë që… ndërkohë që ata zihen dhe të tjerët shikojnë.