Bashkëshortja e Charlie Kirk e përlotur në homazhet për bashkëshortin e saj: E kam falur autorin e vrasjes

E prekur thellë gjatë ceremonisë përkujtimore, Erika Kirk tha se fal burrin që dyshohet se vrau bashkëshortin e saj, duke marrë një ovacion në këmbë nga turma.

“E fal”, tha ajo, në atë që u konsiderua momenti më i fuqishëm i ceremonisë.

Ajo citoi fjalët e Jezusit në kryq: “Atë, fali ata, sepse nuk dinë ç’bëjnë”.

Ishte një deklaratë që jehoi në stadium, duke ngritur në këmbë turmën prej dhjetëra mijëra njerëzish.

“E fal sepse kjo është ajo që bëri Krishti”, shtoi ajo, pa përmendur me emër të dyshuarin, Tyler Robinson.

Përgjigjja ndaj urrejtjes nuk është urrejtja”.

Ajo tha se misioni i bashkëshortit të saj kishte qenë të shpëtonte të rinjtë nga jeta e zbrazët, “e mbushur me mllef, zemërim dhe urrejtje”.

“Ai donte të shpëtonte të rinj, njësoj si ai që i mori jetën”, tha ajo, me zërin që i dridhej.

Erika Kirk tha se ishte e nderuar të emërohej drejtuese e re ekzekutive (CEO) e organizatës që bashkëshorti i saj, Charlie Kirk, themeloi, Turning Point USA, duke premtuar hapjen e mijëra degëve të reja dhe vazhdimin e aktiviteteve universitare që Kirk kishte zhvilluar.

“Bota ka nevojë për Turning Point USA”, tha Erika Kirk. “Ka nevojë për një grup që do t’i largojë të rinjtë nga rruga e mjerimit dhe mëkatit. Ka nevojë për diçka që do t’i shpëtojë njerëzit nga ferri i kësaj bote dhe i botës tjetër. Ka nevojë për të rinj të drejtuar drejt së vërtetës dhe bukurisë, dhe unë ju premtoj sot se çdo pjesë e punës sonë do të bëhet më e madhe”.

“Charlie dhe unë ishim të bashkuar në një qëllim. Pasioni i tij ishte pasioni im, dhe tani misioni i tij është misioni im”, shtoi ajo.

“Gjithçka që Turning Point USA ndërtoi përmes vizionit dhe punës së palodhur të Charlie-t, ne do ta bëjmë dhjetëfish më të madhe përmes fuqisë së kujtimit të tij”.

Erika Kirk, tha se burri i saj “vdiq me punë të papërfunduar, por jo me mision të lënë përgjysmë”, duke theksuar se kauza e tij më e madhe ishte ringjallja e familjes amerikane.

Ajo u bëri thirrje burrave që po ndiqnin ceremoninë të “pranonin sfidën e Charlie-t dhe të përqafonin burrërinë e vërtetë”, duke dashur dhe mbrojtur familjet e tyre.

“Gruaja juaj nuk është shërbëtorja juaj. Gruaja juaj nuk është e punësuara juaj. Gruaja juaj nuk është skllavja juaj. Ajo është ndihmësja juaj. Ju nuk jeni rivalë”, tha ajo. “Ju jeni një trup i vetëm, që punoni bashkë për lavdinë e Zotit”.

 


Shtuar 22.09.2025 07:56