Veshjet tradicionale shqiptare janë shfaqur për herë të parë në parakalimin e Oktoberfest, një nga festivalet më të njohura dhe më të mëdha të vitit në Gjermani. Përfaqësues të komunitetit shqipfolës në Mynih, të mbështetur nga Shoqata “Iliria München”, parakaluan me simbolet dhe kostume kombëtare shqiptare, duke u bërë pjesë e kësaj feste madhështore që tërheq mijëra vizitorë nga e gjithë bota.
Parada, e cila përshkoi 7 kilometra në rrugët kryesore të Mynihut, u ndoq nga rreth 6 milionë vizitorë nga e gjithë bota dhe u transmetua drejtpërdrejt në mediat televizive, duke i dhënë një jehonë të madhe kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare. Ky akt shënoi një moment të rëndësishëm në përfaqësimin e kulturës dhe traditës shqiptare në një nga ngjarjet më të njohura dhe prestigjioze të botës.
Organizimi i këtij parakalimi ishte mundësuar nga Shoqata “Iliria München”, e cila ka kontribuar në promovimin e kulturës shqiptare dhe forcimin e lidhjeve ndërkombëtare mes shqiptarëve dhe komunitetit gjerman.