Nga shtrati i spitalit në burg! Përmirësohet gjendja shëndetësore e Vangjush Dakos, ish-kryebashkiaku do të kalojë 6 ditë në qeli

Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, është rikthyer në qeli ku dhe pritet të qëndrojë vetëm disa ditë.

Burime për mediat bëjnë me dije se gjendja shëndetësore e Dakos është përmirësuar dhe për këtë arsye ai ka lënë shtratin e spitalit dhe është rikthyer në qeli.

Pasditen e 16 shtatorit, Dako u dërgua me urgjencë në spitalin e Durrësit pasi kaloi në aritmi. Pas vendimit të Apelit të GJKKO-së të cilët vendosën që të rikthejnë në qeli ish-kryebashkiakun, ky i fundit shfaqi përkeqësim të gjendjes shëndetësore dhe për këtë arsye u shtrua në spital.

Ditë më parë Apeli konfirmoi dënimin me 2 vite e 8 muaj burg të dhënë nga GJKKO, por sipas përllogaritjeve, Vangjush Dako do të vuajë vetëm 6 ditë në qeli, pasi një pjesë e ka kryer në paraburgim dhe katër ditë të tjera i kreu në spital. Vendimi në Apel u mor nga 3-shja e gjyqtarëve Engert Pëllumbi, Miliana Muça dhe Iliriana Olldashi.

Kujtojmë që Vangjush Dako u arrestua në 6 qershor 2023, por u lirua në shkurt të vitit 2024 pasi i kaloi afati i paraburgimit dhe prej asaj kohe ka qëndruar në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Vangjush Dako u dënua për shpërdorim detyre në 2 raste, në kohën që ushtronte postin e kryetarit të bashkisë së Durrësit. Bëhet fjalë për ndërtimin e një pallati 12 vite më parë në Durrës, që u shemb nga tërmeti i vitit 2019. Leja e ndërtimit të pallatit u zbardh, tre vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe kishin hyrë banorët, duke legalizuar 4 kate pa leje. Po kështu dhe vetë ndërtimi nuk ishte bërë sipas projektit të miratuar nga Bashkia Durrës.

Ndërsa rasti tjetër i shpërdorimit të detyrës nga Dako lidhet me abuzimin me tenderin për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, të zbuluar nga KLSH, që I shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh.

Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, Vangjush Dakos i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.


Shtuar 21.09.2025 18:28