“GENOCID NË GAZA”/ OKB: Janë konfirmuar 4 nga 5 krimet përbërëse të gjenocidit nga Izraeli

Një komision i pavarur i Kombeve të Bashkuara thotë se ekzistojnë arsye të forta dhe të faktuara për të besuar se Izraeli ka kryer gjenocid kundër palestinezëve në Gaza.

Raporti, i publikuar nga Komisioni Ndërkombëtar i Pavarur i Hetimeve argumenton se katër nga pesë veprimet që përbëjnë gjenocid sipas Konventës së vitit 1948 janë kryer që nga fillimi i luftës me Hamasin në tetor 2023.

Këto përfshijnë vrasjen e anëtarëve të një grupi, përmes sulmeve ndaj civilëve dhe objekteve të mbrojtura, shkaktimin e dëmeve serioze fizike dhe mendore, përfshirë zhvendosje të detyruar dhe keqtrajtim të të ndaluarve, vendosjen e kushteve të jetesës që synojnë zhdukjen e grupit, përmes bllokimit të ndihmave, sulmeve ndaj infrastrukturës thelbësore dhe urisë së qëllimshme si dhe ndërmarrjen e masave për të parandaluar lindjet, përfshirë shkatërrimin e klinikës më të madhe të fertilitetit në Gaza.

Komisioni thekson se “qëllimi gjenocidal është përfundimi i vetëm i arsyeshëm” që mund të nxirret nga sjellja e përsëritur e forcave izraelite dhe deklaratat publike të udhëheqësve të lartë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, presidentin Isaac Herzog dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant.

Qeveria izraelite i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar si “të shtrembëruara dhe gënjeshtra”.

Ministria e Jashtme izraelite i akuzoi anëtarët e komisionit se veprojnë si përfaqësues të Hamasit dhe se janë bazuar në gënjeshtra të fabrikuara që tashmë janë hedhur poshtë gjerësisht.

Raporti thekson se shteti i Izraelit mban përgjegjësi ligjore për dështimin në parandalimin e gjenocidit, për kryerjen e tij dhe për mosndëshkimin e autorëve.

Presidenti Begaj në Hungari: Mbështetje e plotë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE
Komisioni paralajmëron se të gjitha shtetet anëtare të Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit kanë detyrimin të ndërhyjnë për ta ndaluar duke shtuar se mosveprimi mund të përbëjë bashkëfajësi.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e kontrolluar nga Hamasi, më shumë se 64,900 palestinezë janë vrarë që nga tetori 2023, ndërsa 90% e ndërtesave janë dëmtuar ose shkatërruar.


Shtuar 16.09.2025 15:12

Tags: ,