Berisha: Zgjedhjet nuk i njohim, do të hyjmë në Kuvend të luftojmë mazhorancën

Dy ditë para nisjes së legjislaturës së re të Kuvendit, Partia Demokratike mblodhi sot Kryesinë, e para pas humbjes së zgjedhjeve më 11 maj.

Kryetari i kësaj partie, Sali Berisha, pas një analize të procesit zgjedhor, ku deklaroi se PD do të shkojë në Parlament, pavarësisht se nuk njeh zgjedhjet.

“Nuk është një variant, po u them demokratëve që mendojnë të mos futemi në Parlament. Jo, nuk është më mirë. Në një diktaturë, duhet të falënderosh zotin që të jep mundësinë ta luftosh atë. Në këtë diktaturë, e pëson si Salianji, por nuk mund ta mohojmë që mundësitë për ta luftuar janë. Dhe kërkohet angazhim e përkushtim shumë më i madh, nga secili prej nesh”, tha Berisha.

Në fjalën tij, kryetari i PD-së Sali Berisha tha se; Shqipëria po përjeton një diktaturë autokratike duke kërkuar që anëtarësia të qartësohet për këto koncepte fondamentale.

“Sa i takon diktaturave totalitare, ata që e përjetuan thonë se kjo e sotmja nuk është e tillë. Dhe kanë të drejtë sepse diktaturat totalitare e përjashtojnë pluralizmin, diktatura autoritare nuk e përjashton pluralizmin, por e shtyp pluralizmin. Kjo e dyta e shtyp pluralizmin dhe është mizore në përqendrimin e të gjithë pushteteve në një dorë”, tha Berisha.

Kreu i PD-së vuri sërish theksin tek cilësimi i zgjedhjeve parlamentare si farsë elektorale. Berisha u shpreh se zgjedhjet u zhvilluan në kushte të shumë të pabarabarta.

“U angazhuam me të gjithë potencialin tonë në një betejë me një regjim që nuk pranon kurrë votën e lirë. Vëzhguesit ndërkombëtarë i falënderoj për raportin paraprak në të cilin u thanë shqiptarëve dhe botës se zgjedhjet nuk ishin të drejta”, vijoi Berisha.

“Përpjekjet tona të drejta, të ndershme në Parlamentin Europian, në KiE, në OSBE, në sintoni të plotë me raportin e ndërkombëtarëve, u vlerësuan dhe sot janë disa institucione që do nisin në muajin që vijnë edhe misione faktmbledhëse në Shqipëri”, u shpreh Berisha.


Shtuar 10.09.2025 14:21