INSTAT: Çmimet e mallrave të konsumit, rritje vjetore prej 2,3% në gusht

Indeksi i çmimeve të konsumit, një tregues që mat ndryshimet në çmimet e produkteve dhe shërbimeve që përdor një familje mesatarisht, shënoi rritje vjetore prej 2,3% në muajin gusht të këtij viti, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur ky ndryshim ishte 2,0%.

Po ashtu, krahasuar me muajin korrik 2025, ndryshimi mujor i çmimeve ka qenë 0,3%.

Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), rritja më e madhe është vërejtur në grupin e “argëtimit dhe kulturës” që ka shënuar një rritje të çmimeve prej 6,3%, pasuar nga “pije alkoolike dhe duhan” me 3,3%, dhe “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3,1%.

Grupi i “ushqimeve dhe pijeve joalkoolike” ka pasur një rritje prej 2,5%, ndërsa grupet e tjera si “hotele, kafene dhe restorante” dhe “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë shënuar gjithashtu rritje, respektivisht me 2,2% dhe 2,8%.

Brenda grupit të ushqimeve, disa produkte kanë pasur rritje më të theksuar të çmimeve. Ndryshimi më i madh është regjistruar në “vajra dhe yndyrna”, ku çmimet janë rritur me 6,5%, pasuar nga grupet e “qumështit, djathit dhe vezëve” me 3,6%, “mishit” me 3,2%, dhe “peshkut” me 2,4%.

Po ashtu, çmimet e frutave dhe zarzavateve janë rritur përkatësisht me 2,1% dhe 1,3%.

Krahasuar me korrikun 2025, disa grupe kanë shënuar rritje të çmimeve, siç janë grupet “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “argëtim dhe kulturë” dhe “hotele, kafene dhe restorante”, që janë rritur me 0,5% secili.

Po ashtu, çmimet e “mobiljeve, pajisjeve shtëpie dhe mirëmbajtjes së shtëpisë” janë rritur me 0,4%, ndërsa grupet si “ushqime dhe pije joalkoolike”, “pije alkoolike dhe duhan” dhe “veshje dhe këpucë” kanë shënuar rritje prej 0,3% secili.

 


Shtuar 9.09.2025 13:42