Pranë hotelit ishte një motor i zi/ Detaje nga vrasja në Shkodër, dyshohet se autorët kishin bashkëpunëtor

Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Shkodrës mbrëmjen e 4 shtatorit, kur 34-vjeçari Kristian Kola, u ekzekutua me armë zjarri në mes të qytetit.

Kristian Kola, u qëllua disa herë nga persona ende të paidentifikuar. 34-vjeçari sapo kishte dalë nga hoteli kur u qëllua me armë zjarri.

Pak minuta më parë, ai kishte parkuar makinën përpara lokalit dhe ishte futur brenda për të takuar një mikun e tij. Ata qëndruan vetëm pak minuta dhe sapo dolën së bashku, Kristian Kola u ekzekutua.

Pranë hotelit ishte ndaluar një motor i zi dhe njëri prej personave ka qëlluar disa herë drejt të riut. Sipas policisë, vrasësi mund të ketë qenë profesionist, pasi nuk ka shkaktuar dëme anësore, edhe pse shumë afër viktimës ndodhej shoku i tij.

Në momentin e ngjarjes, në zonë ka pasur shumë lëvizje dhe policia po merr në pyetje të gjithë kalimtarët dhe disa persona që ishin aty.

Gjithashtu, po hetohet pasi dyshohet se autorët kanë pasur një bashkëpunëtor, i cili i ka informuar për lëvizjet e të riut.

Policia ka rindërtuar dinamikën e krimit, por ende nuk ka një motiv të qartë. I riu punonte bashkë me babanë, pasi së bashku kishin një firmë ndërtimi.


Shtuar 6.09.2025 08:45