Ekzekutimi i 32-vjeçarit për kanalin vaditës, autori i dyshuar paraqitet në gjykatë

Këtë të premte, ka mbërritur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Fierit 25-vjeçari Xhesion Toromëni, i dyshuar si autori i vrasjes së ndodhur mbrëmjen e 19 gushtit në ambientet e jashtme të një lokali, në fshatin Kryekuq të Divjakës.

Ngjarja e rëndë u regjistrua pas një konflikti që përfundoi me përdorimin e armës së ftohtë. Viktima, 32-vjeçari Besmir Kumria, u godit me thikë dy herë dhe fillimisht mbeti i plagosur rëndë, teksa ndodhej në shoqërinë e miqve të tij.

Pavarësisht përpjekjeve të dëshmitarëve për ta ndihmuar, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Autori i dyshuar u largua menjëherë nga vendngjarja, duke përfituar nga errësira, por u arrestua pas disa orësh ndjekjeje nga shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.

Konflikti qe çoi ne vrasje

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se konflikti mes palëve ka pasur rrënjë të hershme, të lidhura me një kanal vaditës në fshat, për të cilin familjet kishin pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme. Megjithatë, motivet konkrete të krimit mbeten ende të paqarta.

Viktima, Besmir Kumria, punonte bashkë me vëllain e tij në zonën e Himarës gjatë muajve të verës, ndërsa Xhesion Toromëni, sipas burimeve, nuk kishte shkelur në Kryekuq prej rreth 7 vitesh.

Sot, Toromëni do të dalë përpara trupit gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Aurora Tushe. Ndaj tij rëndojnë akuzat për “Vrasje me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

 


Shtuar 22.08.2025 14:14