Ditën e sotme, uniformat blu në Tiranë, kanë zbuluar një laorator kokaine në Yzberisht, ku sipas informacioneve, lëndët narkotike përpunoheshin dhe përgatiteshin në forma të ndryshme për shitje në zonë.
Pronari i banesës, 61-vjeçari Shkëlqim Krrashi, u arrestua pasi dyshohet se siguronte sasi të mëdha kanabisi dhe kokainë dhe i shpërndante për shitje.
Sipas informacioneve policore, Krrashi nuk ka precedentë penalë. Ai furnizohej me kanabis dhe vaj nga Maqedonia e Veriut, ndërsa kokainën e shiste me doza të vogla, ndërsa kanabisin dhe vajin i shiste me shumicë.
Gjatë kontrollit në banesën e kthyer në laborator droge në Yzberisht, policia ka sekuestruar rreth 17 kilogramë kanabis të përgatitur në formë çokollate dhe të ndarë në 69 paketime, 22.5 litra vaj kanabisi, që kapnin vlerën rreth 500 mijë euro, si dhe rreth 65 gramë kokainë.
Përveç lëndëve narkotike, në banesë u gjetën dhe dy armë, një pistoletë dhe një armë gjahu, që dyshohet se përdorej për mbrojtjen e laboratorit dhe aktivitetit kriminal.