Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, është shprehur se gjatë bisedës me udhëheqësin amerikan Donald Trump, i ka thënë se sanksionet duhet të forcohen ndaj Rusisë “nëse nuk ka takim trepalësh ose nëse Moska përpiqet t’i shmanget një përfundimi të ndershëm të luftës”.
“Sanksionet janë një mjet efektiv”, shton ai në një deklaratë. Zelensky përsëriti se të gjitha çështjet e rëndësishme duhet të diskutohen me pjesëmarrjen e Ukrainës dhe asnjë çështje, veçanërisht ato territoriale, nuk mund të vendoset pa Kievin.
Pas bisedimeve me Trump dhe koordinimit me udhëheqësit evropianë, Zelensky theksoi se qëndrimet janë të qarta: “Duhet të arrihet një paqe e vërtetë, një paqe që do të jetë e qëndrueshme, jo vetëm një pauzë tjetër midis pushtimeve ruse”.
Ai bëri thirrje për t’i dhënë fund vrasjeve, për një armëpushim në tokë dhe në qiell, për lirimin e të burgosurve të luftës ukrainas si edhe për të ushtruar presion mbi Rusinë ndërsa vazhdojnë luftimet.
“Siguria duhet të garantohet në mënyrë të besueshme dhe afatgjatë, me përfshirjen si të Evropës ashtu edhe të SHBA-së”, shton ai.