Sulmuesi i Kombëtares Mirlind Daku, po shkëlqen në nisjen e sezonit me Rubin Kazanin dhe kjo nuk ka kaluar pa u vënë re nga klubet e mëdha europiane.
Daku ka shënuar pesë gola dhe ka dhuruar një asist në pesë ndeshjet e para mes kampionatit dhe Kupës së Rusisë.
Sipas Telegrafi, Fiorentina ka nisur kontaktet me Rubin Kazanin për transferimin e 26-vjeçarit.
‘Vjollcët’ po përgatiten për largimin e Moise Kean drejt Arabisë Saudite dhe e shohin Dakun si zëvendësuesin ideal.
Drejtori sportiv Daniele Prade ka zhvilluar biseda edhe me agjentin e lojtarit, Shkumbin Qorrmemeti.
Edhe pse Daku ka rinovuar së fundmi deri në vitin 2029 dhe është lojtari më i paguar i klubit rus (2 milionë euro në sezon pa bonuse), një ofertë prej rreth 20 milionë euro mund të bindë Rubin Kazanin për ta lënë të lirë.
Interesimi i Fiorentinës mbetet i hapur, ndërsa tri javët e fundit të merkatos pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e tij.
Në të kaluarën, Dakun e ka kërkuar edhe Zenit St. Petersburg, ndërsa ka pasur oferta nga Turqia, të cilat i refuzoi për të qëndruar te Rubin Kazan.