Pas transaksioneve nga arabët te shqiptarët, qeveria miraton lejen e zhvillimit për projektin 216 mln euro “Lalzi Bay Resort”

Në shtator të vitit 2016, një shtetas libanez Fadi Mitri, u rrah me shkop bejsbolli në zonën e Gjirit të Lalzit në Durrës, pasi ai ishte administratori i shoqërisë “Omnix”, që do të ndërtonte një super resort në atë zonë.

Prej 9 vitesh, disa biznesmenë të mëdhenj nga Katari apo vendet e tjera arabe, janë munduar që të ecin përpara me projektin, i cili kap vlerën e 216 milionë eurove. Fillimisht ata u “ndeshën” me grupe të “fortësh” në zonë, ku u penguan në çdo mënyrë që të ecnin përpara.

Megjithëse kishin ardhur me “rekomandime nga lart”, sërish arabët s’po çanin dot “tregun” shqiptar, për të bërë të mundur marrjen e lejeve. Ata e nisën projektin shumë kohë para projekteve të tjera në Gjirin e Lalzit, të ndërtuara nga shqiptarët.

Por, këta të fundit vijuan të ndërtojnë dhe, nga zonë të pyllëzuar, kanë ndërtuar mijëra vila, dhjetëra htoele e qindra lokale. Ndërkohë, arabët vijonin me procedura burokratike.

Në vitin 2021, pas shumë përpjekjesh të kota, ata vendosën që të bëjnë transaksione, duke shitur përqindje të firmës. Disa biznesmenë të fuqishëm, apo edhe personazhe të njohur të politikës, iu afruan dhe bën biznese me ta.

Fillimisht bleu aksione firma “KLAR”, me pronar z. Shkëlqim Beshirin, i njohur edhe si pronar i një firme kafeje. Më pas vëllezërit Arian dhe Besnik Leskaj, teksa mori aksione edhe firma “RDA”, e biznesmenit dhe ish-deputetit të Partisë Demokratike, Fatjon Veizaj.

Tre emra me shumë peshë në Shqipëri, me lidhje politike nga të gjitha krahët dhe me fuqi të mëdha të parasë. Papritmas, këta biznesmenë morën mazhorancën e aksioneve në një projekt shumë të kushtueshëm, që deri në ato kohëra do të ndërtohej nga arabët. Deri në ato momente, megjithëse arabët lobuan shumë fort deri në kupolën qeverisëse, ata nuk arritën që të merrnin lejet përkatëse dhe projekti po ngadalësohej nga simotrat e saj në Gjirin e Lalzit, që vijonin të ngriheshin në pjesën e pyllëzuar. Madje, ndërtime pati në Hamallaj, San Pietro dhe vetë Gjirin e Lalzit, por jo në zonën ku “Omnix” do të ndërtonte.

Të gjitha transaksionet, ku shqiptarët arritën të marrin plot 70 % të aksioneve të firmës “Omnix” përfunduan në datën 18 korrik 2022. Kontrata e fundit ishte ajo mes arabëve dhe firmës “Klar”, ku u modifikuan disa pasazhe nga kontrata e mëparshme. Në këtë datë që është shumë e rëndësishme u ra dakort që arabët do të merrnin edhe 2.5 milionë euro për disa aksione.

Por, çfarë ndodhi tjetër në atë datë?!

Sipas dokumenteve që ka hulumtuar VoxNews, po në datën 18 korrik 2022, Komiteti i Investimeve Strategjike i dha statusin si investitor strategjik firmës “Omnix” për “resort turistik me vendndodhje në Gjirin e Lalëzit”. Në dokumente shkruhet se është një “investitor i huaj”, por në fakt aksionet u blenë në mazhorancë nga shqiptarët.

Në dokumente theksohet se projekti është për turizëm dhe do investohen 216 milionë euro dhe do të hapen 252 vende pune.

Një koiçidencë e madhe, pasi në momentin që shqiptarët “zhvatën” 70 % të aksioneve, qeveria i shpalli investitor. Pas këtij vendimi me të drejtë lindin shumë pyetje; Përse u ndaluan arabët të vijonin më tej investimin? Kush ndërhyri deri sipër në qeveri që, pas transaksioneve, firma të merrte statusin e investitorit?!

Një mori pikëpyetjesh, pasi arabët u rrahën dhe u zhvatën për vite me radhë dhe në fund, në gjithë projektin 216 milionë euro, kanë vetëm 30 % të aksioneve.

Pas kësaj date, kur Omnix mori statusin e investitorit, pati të tjera transaksione, ku vëllezërit Leskaj ndanë aksionet nga 17.5 % secili apo edhe rimarrja e aksioneve nga ish-deputeti Fatjon Veizaj, pas dorëheqjes nga posti në Parlament.

Ndërkohë, në vitin 2025, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit miratoi edhe “leje zhvillimi për objektin ‘Lalzi Bay Resort’, Kompleks Turistik dhe Rezidencial, me vendndodhje në Gjirin e Lalzit, Bashkia Durrës, me subjekt zhvillues shoqërinë ‘Omnix Albania’ sh.p.k”.

Mësohet se firma propozon zhvillimin e një investimi në bregdetin e Gjirit të Lalëzit, pranë Draç Durrës. “Projekti prek një sipërfaqe prej 145,400 m2 në pronësi të subjektit aplikues, lloji i pasurisë pyll. Gjithashtu projekti ka edhe një sipërfaqe prej 92,225 m2 në pronësi shtet si dhe 81,000 m2 plazh. “Nga sipërfaqja e lart përmendur që prek projekti, kërkohet të hiqet nga fondi pyjor dhe kullosor 60,000 m2 e cila është sipërfaqe e truallit e zënë nga gjurma. Kjo sipërfaqe prej 60,000 m2 është e ndarë në pasuritë pronë shtetërore me sipërfaqe 15,800 m2 dhe pasuritë pronë private në pronësi të “Omnix Albania” sh.p.k. sipërfaqja 44,200 m2” thuhet në vendim.

Si u mor pasuria shtetërore? Në dokumentet që ka hulumtuar VoxNews shkruhet se në zonën e zhvillimit të projektit, ndodhet një sipërfaqe trualli dhe fondi pyjor, në pronësi shtet, pjesë e ngastrës nr. 70 abcd, e cila i është dhënë me qira shoqërisë nëpërmjet kontratë qiraje e vitit 2011 me palë “Drejtoria e Shërbimit Pyjor Durrës” dhe Shoqëria “Omnix Albania” sh.p.k. për dhënie në përdorim sipërfaqen 28,018 ha për përdorim dhe sipërfaqe për rrugë kalimi. /VoxNews