Adriatik Lapaj nuk dorëzohet kollaj, sërish kërkesë KAS-it që mandati t’i shkojë në duart e tij: E meritoj unë, jam më i votuari

“Shqipëria Bëhet” ka ankimuar vendimin e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve të cilët ditë më parë rrëzuan zyrtarisht kreun e KQZ-së Ilrirjan Celibashin, duke ia hequr të drejtën për t’u bërë deputete kushërirës së Lapajt, Kleana Xhuvelit dhe duke ja kaluar mandatin Ana Dajkos.

Pas këtij vendimi, mesa duket partia e Adriatik Lapajt nuk ka ndërmend të ndalet dhe ka depozituar sërish një tjetër kërkesë në KAS ku dhe ka kërkuar që mandati të shkojë në duart e atij që është më i votuar në listën e hapur, i cili është dhe kreu i kësaj force politike.

Aktualisht mandati është i Ana Dajkos, të ëmës së kandidatit të “Nisma Shqipëria Bëhet” në Vlorë, Vasil Dajko.

Kujtojmë se më 23 korrik, kreu i KQZ u përpoq që “t’i jepte drejtim” sherrit mes dy ish-aleatëve, Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit për “karrigen” në Parlament.

Lapaj mbeti zyrtarisht jashtë Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë që mandati i deputetit të Nisma Shqipëria Bëhet i shkoi Kleana Xhuvelit.

Gjatë fjalës së tij, kreu i KQZ-së sqaroi pikë për pikë dhe lexoi atë çfarë ligji e thotë qartë se asnjë prej kandidatëve në listën e mbyllur, të çdo subjekti politik, nuk mund të japin dorëheqjen në datën e zgjedhjeve, apo dhe pas saj, pasi listat janë konfirmuar nga KQZ.

Ai shtoi se për t’i kaluar mandati kandidatit më të votuar në listën e hapur, të gjithë kandidatët që janë pozicionuar në listën e mbyllur duhet të heqin dorë nga mandati dhe më pas të procedohet.

Por, duke qenë se Zeqir Kordhoni, i njohur tanimë edhe si daja i Endri Shabanit, kërkoi që të “ulej” në Kuvendin e Shqipërisë, atëhere ky fakt e bëri të pamundur marrjen e mandatit nga Adriatik Lapaj.

Pas kërkesës së Kordhonit, ishte Kleana Xhuveli ajo e cila kërkoi që të vijonte garën për në Kuvend dhe bazuar në renditjen e saj në listën e mbyllur rrjedhimisht mandati i kaloi asaj.

“Zonja Kleana Xhuveli ka pohuar se dëshiron të marrë mandatin e deputetit. E ka bërë këtë deklarim edhe zoti Zeqir Kordhoni, por duke qenë se Xhuveli është renditet në listën e mbyllur të këtij koalicioni më sipër, i takon asaj e drejta për të marrë mandatin e deputetit të këtij koalicioni”, tha Celibashi.

Ku kjo çështje nuk përfundoi me kaq! Lapaj bëri kërkesë në KAS të cilët vendosën më pas që mandati t’i shkonte Dajkos, ndërkohë se kush do të ulet si përfundim në Kuvendin e Shqipërisë mbetet për t’u parë!


Shtuar 4.08.2025 16:44

Tags: ,