Gara për kreun e BKH-së/ Kandidatët zhvillojnë testin e poligrafit, nesër intervista në panel

Shtatë kandidatët e mbetur në garë për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë zhvilluar ditën e enjte dhe të premte në Akademinë e Policisë testin e poligrafit, ose i njohur ndryshe si testi i së vërtetës.

Gjatë monitorimit të poligrafit kandidatët iu përgjigjen pyetjeve provokuese. Specialistët e poligrafit, një prej të cilëve mësohet se ka mbërritur nga jashtë, ka vlerësuar reagimin e disa indikatorëve si pulsi, djersitja, etj.

Ndërkohë, SPAK ka njoftuar kandidatët se ditën e hënë do t’i nënshtrohen intervistës në panel, ku do të merren në pyetje me gojë përballë komisionit që monitorohet edhe nga disa përfaqësues të misioneve të ShBA dhe BE.

Ky është edhe testi i fundit, pasi më pas do të kalojnë në fazën e verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë nga Komisioni i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës.

Më pas, Komisioni i Përzgjedhjes, i cili përbëhet nga prokurorët e SPAK, Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra, do të zgjedhin kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Shtatë kandidatët e mbetur në garë janë Gledis Nano, Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj dhe Joni Keta.

Mediat kanë raportuar për një garë të paracaktuar, pasi dy kandidatët favoritë për të marrë postin e drejtuesit të BKH-së janë Joni Keta dhe Elton Kërluku, e cila ka sjellë edhe një përplasje mes Altin Dumanit dhe Arben Krajës.

Drejtueses aktuale të BKH-së, Aida Hajnajt, i përfundon mandati 5-vjeçar më 31 Gusht. Edhe pse kishte shprehur që më 28 mars interesin për një tjetër mandat, ajo u përjashtuar nga e drejta për rikandidim, pasi nuk dorëzoi dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të caktuar nga Komisioni i Përzgjedhjes deri më 7 maj.


Shtuar 27.07.2025 17:19

Tags: ,