Ish-Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Abdyl Xhaja, është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare. Abdyl Xhaja njihej si një nga personalitetet më të spikatura të ekonomisë dhe politikës në dekadat e fundit të shekullit XX.
Abdyl Xhaja lindi më 13 mars 1943 në Elbasan ndërsa përfundoi studimet e larta në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës në vitin 1965, duke u diplomuar si ekonomist për industri.
Më vonë ai u angazhua në një karrierë të gjatë në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, ku mbajti pozicione të rëndësishme drejtuese.
Ai ishte gjithashtu pjesë e Komitetit Shtetëror të Statistikës dhe më vonë do të kalonte në nivelet qendrore të drejtimit të sektorit industrial në vend.
Me ndryshimet politike të fillimviteve ’90, Abdyl Xhaja u bë një figurë kyçe në qeverisjen e vendit, duke shërbyer si Zëvendësministër i Burimeve Minerare dhe Energjetikës, Zëvendëskryeministër dhe më pas Ministër i Industrisë, Burimeve Minerare dhe Energjetikës në disa qeveri gjatë viteve 1991–1997.
Si pjesë e Partisë Demokratike, ai u zgjodh deputet në vitin 1996 dhe ishte anëtar aktiv i Këshillit Kombëtar të kësaj force politike.
Pas vitit 1997, ndonëse jashtë jetës politike aktive, vijoi të kontribuonte në fushën e ekonomisë si këshilltar pranë unionit të investitorëve të huaj dhe më vonë pranë Shërbimit Gjeologjik Shqiptar.
Për kontributin e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe promovimin e potencialeve ekonomike të Shqipërisë, Abdyl Xhaja është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i shtetit të Oklahomës në SHBA – një vlerësim i rrallë për një qytetar shqiptar.
Jeta dhe veprimtaria e tij mbeten një shembull i përkushtimit ndaj zhvillimit ekonomik dhe shërbimit publik.