Ish-deputeti Ralf Gjoni ka komentuar këtë mbrëmje në emisionin “Now” me Erla Mëhillin përplasjen mes Adriatik Lapajt të “Shqipëria Bëhet” dhe Endrit Shabanit të “Nismës Thurje”. Ralf Gjoni shprehet se i ka miq të dy ndërsa nuk i kurseu kritikat dhe fjalët e ashpra ndaj tyre.
Sipas ish-deputetit, Lapaj dhe Shabani duhet ta lënë fare mandatin si parti pasi atë mandat e kanë përdhosur, e kanë shkelur e pështyrë dhe nuk ka më asnjë vlerë morale.
Gjoni theksoi se Lapaj dhe Shabani meritojnë t’ju japësh një lëpirëse pasi shfaqja e tyre është e tupshme dhe nuk kanë sjellë asgjë të re.
“Nuk i kam parë reagimet e asnjërit prej tyre. Endrin e kam shumë mik. Adriatikun e kam të njohur dhe kemi pasur shkëmbime pozitive. Uleshim në kohë të arta ku Adriatiku me “Nismën Thurje” diskutonim. Kemi kujtime bashkë me këta njerëz.
Të dy sot e hodhën poshtë. I kanë hypur sipër këtij mandati, e kanë shkelur, e kanë pështyrë, e kanë përdhosur, e kanë përdhunuar, mos të them ndonjë fjalë tjetër. Ky mandat nuk ka më vlerë morale.
Kushdo që të bëhet deputet apo deputete nga kjo listë, është i/e mbaruar. E di çfarë do të thotë të ngjitesh në atë foltore. Imagjinoj cinizmin dhe talljen e të gjithë të tjerëve.
Një nga aktet e mia që jam krenar, është kur i kam dalë me lëpirse socialistëve në parlament. Por unë sot duhet të kisha ardhur me dy lëpirse, për të dy këta. Turp e faqja e zezë.
Mandati nuk i takon as njërit dhe as tjetrit. Ngritën një fabul për të sjellë diçka të re dhe për të bindur zgjedhësit por këta moralisht po sillen si dy djem ose vajza të vogla Instagrami që zihen për një reel se kush e pozicionin më të bukur, mund të analizosh reagimet e tyre dhe kupton shumë për egocentrizmin, boshllqët psiko-shpirtërore që mund të kenë brenda vetes së tyre.
Menduan se duke vendosur 12 persona në listë të mbyllur me daja, teze, komshinj, menduan se kjo punë ishte kaq e thjeshtë sa 12 veta të japin dorëheqjen?
Moralisht ka rënë mandati, nuk e meriton asnjëri prej tyre. Sugjeroj që të gjithë të japin dorëheqjen dhe të lënë mandatin fare si parti.”-tha Gjoni.