Pak çaste para se të firmoste ligjin e ri për rregullimin e kriptomonedhave, presidenti amerikan Donald Trump falënderoi publikisht një nga një të gjithë ata që kontribuuan në hartimin e të ashtuquajturit ligj GENIUS, duke shtuar me humor të njohurin e tij: “E quajtën kështu për nderin tim”, tha Trump, duke shkaktuar të qeshura në sallë.
Ai e përshkroi ligjin si “të jashtëzakonshëm” dhe theksoi se është rezultat i një pune të gjatë dhe të përkushtuar:
“Ky është një ligj i fuqishëm… kemi punuar shumë fort për këtë”, deklaroi ai, duke falënderuar të gjithë të përfshirët.
Nënshkrimi i ligjit u shoqërua edhe me mesazhe me nuancë politike dhe ekonomike, ku Trump la të kuptohej se së shpejti do të ketë zhvillime të rëndësishme në tregtinë ndërkombëtare.
“Kur u dërgoj një letër ku thuhet se do të paguajnë 35% ose 40% tarifa doganore, kjo është në vetvete një marrëveshje,” theksoi ai, duke shtuar:
“Pastaj do të na telefonojnë për të parë nëse mund të bëjmë një marrëveshje ndryshe – si për shembull të hapin tregun e tyre për ne.”
Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur kriptomonedhat dhe rregullimi i tyre janë bërë temë e debatit publik dhe ekonomik në SHBA, veçanërisht për rolin që ato mund të luajnë në ekonominë dixhitale të së ardhmes.