Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar situatën në vend mbi zjarret përgjatë 24 orëve të fundit. Nga reagimi zyrtar është bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 25 vatra zjarri, 4 prej të cilave vijojnë të mbeten aktive.
Vatrat e zjarrit janë evidentuar në bashkitë: Finiq, Vlorë, Selenicë, Elbasan, Prrenjas, Poliçan, Bulqizë, Dibër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Tiranë, Kamzë, Vorë, Durrës, Kurbin, Pogradec e Korçë.
Aktualisht vatrat janë aktive në zonat: Sotiran, i ndodhur ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, bashkia Vlorë; fshati Zgërbonjë, bashkia Poliçan; “Livadhi i Peladhisë”, bashkia Dibër dhe “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë.
Sakaq, Ministria e Mbrojtes bën me dije se niveli i rrezikut vijon të jetë I LARTË pothuasje në të gjitha qarqet në Shqipëri.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri, nga të cilat 4 vatra janë ende aktive.
Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Finiq, Vlorë, Selenicë, Elbasan, Prrenjas, Poliçan, Bulqizë, Dibër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Tiranë, Kamzë, Vorë, Durrës, Kurbin, Pogradeci e Korçë.
Aktualisht mbeten aktive vatrat:
– Në vendin e quajtur “Sotiran” ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë,në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra në lartësi të malit. Situata është mbajtur në monitorim gjatë natës. Ditën e sotme në zonë po operojnë 8 forca zjarrfikëse dhe 7 punonjës nga Shërbimi Pyjor. Dje, në mbështetje të forcave u angazhua helikopteri Cougar i Forcës Ajrore.
– Në monitorim mbetet vatra në fshatin Zgërbonjë, njësia administrative Vërtop, bashkia Poliçan. Zjarri nuk paraqet rrezik për përhapje.
– Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe dëllinjanë vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë. Terreni është i vështirë dhe i largët, ndaj po punohet me mjete të kalueshmërisë së lartë.
– Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, njësia administrative Lurë, bashkia Dibër. Edhe pse forcat operacionale punuan deri në orët e vona, nuk u arrit izolimi i tij. Ditën e sotme në terren janë të angazhuar: 7 efektivë zjarrfikës, 6 forca të AdZM, 5 forca bashkiake dhe 25 vullnetarë. Në mbështetje të forcave sot do të operojë edhe helikopteri i Forcës Ajrore.
Në dy raste zjarret janë evidentuar në banesa dhe një në një godinë biznesi, ku si pasojë ka patur dëme të konsiderueshme materiale.
Si pasojë e zjarreve të rëna kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre e barishte janë djegur rreth 5 hektarë me bimësi.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 30 automjete zjarrfikëse dhe 351 forca. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 59 efektivë, 1 helikopter, 5 automjete zjarrfikëse, 1 pompë thithëse, 2 mjete vetëshkarkuese dhe 1 traktor me zinxhirë.
Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” pothuajse në të gjitha qarqet. Sot priten priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare, në formë shtrëngate në qarkun Shkodër. I gjithë sistemi i Mbrojtjes civile vijon të jetë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të shpejtë. Në këtë situatë u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi maksimale.