I shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim të lëndëve narkotike, arrestohet 36-vjeçari në Durrës (EMRI)

 

Në kuadër të operacionit policor i koduar “Operacionalja 52”, Policia e Shtetit ka arrestuar një 36-vjeçar, pasi rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Bëhet fjalë për Fatjon Berisha alias Bledar Berisha, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në kuadër të organizatës kriminale”.

Gjithashtu, uniformat blu theksojnë se arrestimi i tij u krye ,në kuadër të ekstradimit drejt Italisë.

Njoftimi:

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për lokalizimin dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Durrës, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Operacionalja 52”.

Si rezultat, në qytetin e Durrësit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasi Fatjon Berisha alias Bledar Berisha, banues në Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Romës, Itali, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në kuadër të organizatës kriminale”.

Sipas legjislacionit penal italian, kjo vepër parashikon dënim maksimal deri në 20 vjet burgim.

Vijon bashkëpunimi ndërinstitucional për përfundimin e procedurave të ekstradimit të 36-vjeçarit drejt autoriteteve italiane”, thuhet në njoftimin e policisë.