Pensionet/ Koeficientët e rinj të rivlerësimit të pagave, përfitojnë mbi 40 mijë persona (zbardhet skema)

Në dokumentin që pritet të kalojë shumë shpejt për miratim në qeveri, është miratuar koeficienti i indeksimit të bazës së vlerësuar që është caktuar 13.397, ç`ka do të sjellë një rritje mesatare prej 8.6% të bazës së vlerësuar për llogaritjen e pensioneve, duke ndikuar drejtpërdrejt në përfitimet e reja për rreth 40 mijë qytetarë, që do të aplikojnë për pension deri në fund të vitit 2025.

Rivlerësimi përfshin jo vetëm pagën maksimale, e cila pas indeksimit arrin në 110,123 lekë nga 100,752 lekë që ishte më parë, por edhe pagën minimale që rritet në 33,037 lekë.

Kjo përllogaritje e re pritet të reflektojë më saktë vlerën reale të kontributeve të derdhura ndër vite, veçanërisht për personat që kanë punuar në sektorë të ndryshëm përpara vitit 1994.

Ndërkohë, për pagat pas këtij viti, do të vijojnë të aplikohen koeficientë të ndryshëm për çdo vit, të përcaktuar mbi bazën e kontributit mesatar të paguar për çdo të siguruar.

Kjo formulë, e reformuar që prej vitit 2014 synon të thellojë parimin kontributiv të sistemit të pensioneve, duke u mbështetur gjithmonë në raportin midis kontributeve reale dhe përfitimeve përfundimtare.

INDEKSIMI

Të tabelën bashkëngjitur shkrimit publikojmë indekset që do të zbatohen për të gjithë pensionet me datë lindje të drejte nga data 01.01.2025, ndërsa për pensionet me datë lindje të drejte deri në datën 31.12.2024, e gjithë masa e pensionit që përbëhet nga shuma bazë dhe nga shtesa, indeksohet sipas indeksit vjetor të çmimeve të mallrave të konsumit.

“Duke rritur dhe bazën e vlerësuar individuale, për të gjithë personat që e drejta për pension iu lind nga data 01.01.2025, nga kjo datë e në vazhdim do të arrihet të përllogariten të jepen pensione mujore, që janë të lidhura drejtpërdrejt me kontributet e paguara dhe që vetëm për shkak të tyre mund të jenë më të larta së më parë”, – thuhet më tej në relacion.

Konkretisht, pas rivlerësimit me koeficientin 13.397 paga maksimale bëhet 110, 123 nga 100.752 që ishte një vit më parë, ndërsa paga minimale nga 30.225 lekë bëhet 33.037 lekë, duke njohur në këtë mënyrë një rritje me rreth 8.6 për qind.

Kjo do të thotë rrjedhimisht edhe pensione më të larta për ata, të cilët mbushin moshën e daljes në pension këtë vit.

“Ky koeficient do të ndikojë në rritjen e bazës së vlerësuar për rreth 40 mijë persona që do të aplikojnë për pensione të reja deri në fund të vitit 2025, si dhe në vitet e ardhshme, duke bërë të mundur që pensionet e tyre të jenë të harmonizuara me kontributet e derdhura”, – thuhet më tej në dokument.

Thënë kështu, një qytetar që ka punuar në transport dhe ka marrë 3233 lekë në muaj, paga mbi bazën do t’i llogariten kontributet do të jetë paga e rivlerësuar, që do të thotë (3233 X 13.397) 43.312 lekë në muaj.

KOEFICENTET

Por, ndërsa për pagat para ‘94-ës koeficienti që aplikohet është i unifikuar, për pagat pas ‘94-ës koeficientet janë të ndryshme. Kjo jo pa qëllim, duke qenë se edhe niveli i pagave është i ndryshëm. Kështu, për vitin 1995, koeficienti është 10.781, për pagat e vitit 1996 është 8.365, i njëjti aplikohet edhe për pagat e një viti më vonë.

Ndërsa për vitin 1998, pagat indeksohen me 6.990, për të vijuar me vitin 1999, ku koeficienti është 5.673 e kështu me radhë deri në vitin 2023.

Për dy vitet e fundit, pra për 2024 dhe 2025 nuk aplikohet formula e indeksimit, por pagat referohen aq sa janë.

“Metodika përcakton që çdo vit, paga vjetore individuale të indeksohet me koeficientin vjetor të indeksimit që llogaritet si raport i kontributit mesatar për një person të siguruar, të derdhur në vitin e fundit kalendarik, kundrejt të njëjtit tregues të vitit pararendës. Pra, është ecuria e rritjes nga viti në vit e kontributit mesatar vjetor të paguar nga një person, ajo që përcakton masën e indeksit. Me fjalë të tjera, masa e pensioneve të ardhshme varet në radhë të parë nga kontributet individuale, por edhe nga ecuria e rritjes së kontributit mesatar nga një vit në tjetrin. Formula e përcaktimit të pensionit fillestar, e reformuar në vitin 2014 fokuson thellimin e parimit kontributiv të sistemit të pensioneve”.

Skema për llogaritjen e pensionit përcakton një pension bazë dhe shtesën. Pensioni bazë është rreth 9800, ndërsa shtesa bazuar në formulën e llogaritjes së pensionit, është 1 për qind për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve të paguara.