Në një intervistë për A2 CNN, Jorida Tabaku, konferencën e 19-të të Komiteti të Stabilizim Asocimit Shqipëri-Bashkimi Evropian që u mbaj të mërkurën dhe të enjten në Strasburg, e konsideron një takim të frytshëm.
Tabaku pohon se opozitarët përveç shqetësimeve që i bënë publike në seancat plenare, kanë furnizuar me prova dhe dokumente evropianët për atë që e quajnë farsë elektorale.
“Takimet bilaterale janë zhvilluar, me reporterin e Shqipërisë, me drejtuesin e delegacionit dhe me përfaqësues të këtij komisioni. Janë informuar dhe u është vendosur në dispozicion edhe raporti që tregon se qëndrimet e opozitës janë të bazuara në prova dhe në fakte”, shprehet Tabaku.
Gjithashtu, deputetja demokrate pohon se këto takime nuk do të jenë të fundit, por presin misionin faktmbledhës nga Parlamenti Evropian, pasi sipas saj kapitulli i zgjedhjeve nuk mund të mbyllet lehtë.
“Ky është një proces që do të vazhdojë, pasi siç është deklaruar presim një mision faktmbledhës nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian. Ta harrojë kushdo që është i përshirë në procesin e integrimit se zgjedhjet janë një kapitull i mbyllur, rruga evropiane e Shqipërisë kalon nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, shton Tabaku.
Zgjedhjet e 11 Majit u shoqëruan me shumë problematika, thotë Tabaku, dhe shton se në procesin e integrimit Shqipëria ka humbur pikë për shkak të tyre.
“Zgjedhjet e ishin një mundësi e humbur në procesin e integrimit, ishin zgjedhjet e para me negociata të hapura dhe fatkeqësisht një pjesë e kritereve të Kopenhagenit janë shkelur”, deklaron deputetja demokrate.
Sipas saj, shqetësimet e ngritura nga opozita bëhen tani sepse vendi po negocion me Bashkimin Evropian dhe çdo problematikë duhet adresuar.