257 mijë mjete debitore rrezikojnë marrjen e shërbimeve nga DPSHTRR, publikohet plani i masave

Drejtoria e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) kujton debitorët e taksës vjetore për mjetet e përdorura dhe atyre të luksit, se nuk do të përfitojnë shërbimet nëse nuk shlyejnë detyrimet. DPSHTRR njofton se në rang vendi rezultojnë 256,741 mjete debitore që nuk kanë paguar taksën vjetore të mjeteve të përdorura dhe të luksit. 84% e debitorëve janë individë dhe 16% e tyre nga bizneset.

100,453 mjete debitorë apo 39% e tyre janë në qarkun e Tiranës, e ndjekur nga Durrësi me 35,153 mjete debitore dhe Shkodra me 17,881 mjete me detyrime vjetore të pashlyera. Për mbledhjen e detyrimeve nga pagesat e vonuara të taksës vjetore për mjetet e përdorura dhe të luksit DPSHTRR thotë se ka vijuar me planin e masave që përfshijnë:

-Njoftime shkresore me frekuencë mujore nga Drejtoritë Rajonale përgjegjëse;

-Njoftime digjitale përmes a-Albania mbi përfundimin e afatit të vlefshmërisë së taksës së mjetit;

-Identifikim në terren përmes sistemit të monitorimit;

-Ndalim i ofrimit të shërbimit për mjetet të cilat rezultojnë debitore.

Në rast mosshlyerje detyrimesh, DPSHTRR rikujton të gjithë debitorët që mjetet debitore nuk marrin shërbimet në vijim:

-Ndryshim targash (në rast dëmtimi apo humbje);

-Kontroll fizik (certifikim i xhamave të errësuar);

-Leje Qarkullimi kombëtare dhe ndërkombëtare;

-Konfirmime të ndryshme që kanë të bëjnë me mjetin.

Shuma totale e borxhit të papaguar për taksën vjetore të mjeteve të përdorura (TVMP) dhe taksën e mjeteve luksoze (TVML) kap vlerën e rreth 17 miliardë lekëve, ose afërsisht 170 milionë USD, me detyrime që datojnë nga viti 2012 deri më Qershor 2025./ Monitor


Shtuar 17.06.2025 22:55

Tags: