Brukseli në alarm/ Bashkimi Evropian mbledh urgjentisht ministrat për Lindjen e Mesme

Bashkimi Evropian ka thirrur një mbledhje urgjente të ministrave të Jashtëm, që do të zhvillohet të martën në formë telekonference, për të diskutuar situatën dramatike në Lindjen e Mesme pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjes ushtarake të Teheranit.

Lajmi u konfirmua nga një zëdhënës i BE-së, i cili deklaroi:

“Duke marrë parasysh seriozitetin e situatës në Lindjen e Mesme, Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ka thirrur një takim të jashtëzakonshëm të ministrave të Jashtëm të BE-së për ditën e martë.”

Fokus në sigurinë dhe stabilitetin rajonal

Takimi vjen në një moment kur tensionet mes Izraelit dhe Iranit kanë shkaktuar shqetësim ndërkombëtar, duke ngritur rreziqe për destabilizimin e mëtejshëm të rajonit dhe përfshirjen e aktorëve të tjerë globalë në konflikt.

Sipas burimeve diplomatike, pritet që në axhendë të përfshihen:

Masat e mundshme diplomatike për shtensionimin e situatës

Koordinimi i qëndrimeve mes vendeve anëtare

Përgatitja për skenarë të mëtejshëm të përshkallëzimit ushtarak

Takimi i së martës pritet të përcaktojë linjën zyrtare të politikës së jashtme të BE-së për krizën, në një kohë kur presioni ndaj komunitetit ndërkombëtar për ndërmjetësim po rritet.


Shtuar 15.06.2025 21:46