Babai i Xhakës: Ai qau në ndeshjen me Serbinë, kontakte me Shqipërinë por patëm mospajtim

Ragip Xhaka, babai i vëllezërve Xhaka ka folur për RTV Dukagjin të prapaskenat e të kaluarës të mesfushorit  Granit Xhaka që tashmë mbron ngjyrat e Zvicrës dhe pse ai nuk u vesh kuqezi, apo me fanellën e “Dardanëve”.

“Kur djemtë filluan të merren me sport, të bëhen të gjallë si i themi në gjuhën popullore, kam pasur kontakt me Shqipërinë. Pati një mospajtim dhe nuk shkoi aty. Sa i përket Kosovës, ka qenë e ditur se nëse luajnë në Evropian më parë, atëherë ka qenë e pamundur të luanin me Kosovën.

E kemi çuar një letër në FIFA, drejtpërsëdrejti, pa ndihmën e askujt, me anë të avokatit tonë. Na është kthyer e mbyllur, me përgjigje për shkak të Kampionatit Evropian. Aty u mbyll gjithçka. Kritikat më kanë ardhur mua si prind dhe familjes. Nuk e ndiej vetën fajtor. Për gjithë atë që kemi bërë deri tani, pa marrë parasysh Zvicrën apo Kosovën, jam krenar. Asnjëherë nuk e kemi harruar Kosovën.

Jo se janë vetëm këta dy, por janë të vetmit dy djem shqiptarë, dy vëllezër, që dalin hapur dhe e mbrojnë, si Kosovën, ashtu edhe Shqipërinë, me shkrim, me anë të mediave, në fushë, me gjithçka, edhe pse Graniti luan me kombëtare tjetër. Ai ka motivuar lojtarë të tjerë. Po ju tregoj një rast, në lojën me Serbinë dhe Shqipërinë që luhej në Shqipëri, Graniti filloi të qante përse ngriti tre gishtat njëri lojtar. Nuk e kemi fshehur që jemi shqiptarë, kurrë, asnjëherë. Më vjen keq që ka ndodhur kështu, por ai ka qenë fati, si për Zvicrën, si për Kosovën, ashtu edhe për Shqipërinë”, shpjegoi Ragip Xhaka.


Shtuar 1.07.2021 14:28