Afera CEZ-DIA/ Ilir Meta shpërthen keq ndaj SPAK: Një farsë në shërbim të Edi Ramës, zero fakte, zero prova…

Pas përfundimit të hetimeve të SPAK ndaj tij dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, e ka cilësuar procesin si një ‘farsë hetimore’ me motive politike.

Në një reagim në Facebook, kreu i Partisë së Lirisë, akuzon drejtpërdrejt SPAK-un si një strukturë të kapur nga kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar arrestimin e tij më 21 tetor 2024 si kriminal dhe të pa mbështetur në asnjë provë ligjore.

Sipas Metës, qëllimi i akuzave të ngritura ndaj tij është të zhvendoset vëmendja nga ‘krimet zgjedhore’ dhe të goditet opozita.

Ai paralajmëron përballje publike në gjykatë, ku sipas tij, do të rrëzohet e gjithë “farsa politike” që synon të diskreditojë figurën e tij dhe të forcojë kontrollin e mazhorancës mbi institucionet.

Reagimi i Ilir Metës:

Pas farsës kriminale zgjedhore, që nuk mund të ndodhte pa ndihmën e SPAK edhe me rrëmbimin tim në mënyrë kriminale më 21 tetor 2024, siç e panë të gjithë shqiptarët dhe e gjithë bota, përshëndes përfundimin e farsës hetimore të tejzgjatur nga SPAK për shkak të zgjedhjeve, të nisur që në dhjetor 2019 nga Altin Dumani.

Pres me padurim, nisjen e gjykimit të këtij procesi, i cili do të jetë publik dhe do të faktojë botërisht se SPAK-u që nuk shikon krimin intelektual të inceneratorit që nuk ekziston dhe që lëshon urdhër-arreste fiktive për terroristët zgjedhorë, duke i lajmëruar që të largohen, është vetëm një organizatë në shërbim të verbër të Edi Ramës, që me “Task Force” e saj anti-opozitë i dha atij një mandat të paligjshëm vetëm me qëllimin që të garantojnë mandate të përjetshme për veten e tyre.

Nga sot ne nisim çmontimin e kësaj farse hetimore e cila kërkon të spostojë vëmendjen nga krimet e tmerrshme zgjedhore, edhe duke porositur titra te mediat e inceneratorëve për publikimin e akuzave që nuk qëndrojnë, kur çdo shqiptar e di se Ilir Meta u rrëmbye në mënyrë kriminale dhe mbahet në izolim ekstrem me zero fakte dhe zero prova penale.

Ne do të ballafaqohemi më të gjitha pseudoakuzat e formuluara nga Edi Rama dhe të nënshkruara nga mercenarët e tij.

Ne do të ballafaqohemi me të gjithë “dëshmitarët” e prodhuar nga Edi Rama dhe që kanë patur probleme me drejtësinë dhe integritetin e tyre.

Jemi të bindur në shpartallimin e plotë të kësaj farse kundër Ilir Metës si President i Partisë së Lirisë, por edhe si ish-President i Republikës, i cili provoi botërisht në Komisionin e Venecias dhe kudo tjetër, shndërrimin e Reformës në Drejtësi me 140 vota në Ramaformë me 69 vota.


Shtuar 27.05.2025 13:00