Ndërtoi ‘perandori’ droge në Ekuador, kush është Dritan Gjika, ‘biznesmeni’ që furnizoi Europën me kokainë

Dritan Gjika, një nga figurat më të kërkuara të krimit të organizuar, ka rënë në prangat e policisë në Abu Dhabi për llogari të Ekuadorit. 47-vjeçari shqiptar tashmë do të përballet me drejtësinë. Prej më shumë se një dekade, Diran Gjika u vendos në Ekuador, aty ku ndërtoi një rrjet të sofistikuar të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

Si kamuflohej Dritan Gjika?

Ai ruante profilin e një biznesmeni që merrej me eksportin e produkteve bujqësore dhe ndërtimit ndërsa ka futur në tregjet europiane tonelata kokaine. Për herë të parë shkeli në Ekuador në vitin 2009 dhe në vitin 2013 regjistroi kartën e identitetit ekuadoriane në qytetin Guayaquil, që prej atëherë konsiderohet edhe si vendbanimi i tij zyrtar.

Gjika krijoi disa kompani për t’i shfrytëzuar më pas për trafikun e drogës. Në vitin 2014 bleu aksione në kompaninë “Cresmark”, eksportuese e produkteve bujqësore, ku kishte ortak edhe shqiptari tjetër, Erjon Spahiu.

Këtu nisi gjithçka. Fillimi i një operacioni që do të përfshinte një sërë kompanish me emra të ndryshëm por me të vetmin qëllim, pastrimin e parave dhe fshehjen e drogës në ngarkesat e produkteve.

Në vitin 2021, ai themeloi tetë kompani në bashkëpunim me Rubén Cherres, një biznesmen ekuadorian me lidhje të forta politike, i cili më vonë u vra në mënyrë brutale në vitin 2023 në Santa Elena.

Sipas autoriteteve ekuadoriane dhe spanjolle, Gjika kishte ndërtuar një strukturë kriminale që niste kokainë nga laboratorët kolumbianë drejt Ekuadorit, ku ruhej në sasi të mëdha në provincat Cotopaxi, Los Ríos dhe Guayas.

Droga futej në ngarkesat e bananeve dhe eksportohej drejt vendeve si Spanja, Belgjika, Holanda, Turqia dhe Shqipëria.

Vetëm në Shqipëri, në vitin 2021, janë kapur ngarkesa me kokainë në kontejnerët që vinin nga Amerika e Jugut, përfshirë 10 kilogramë në portin e Durrësit, me porositës firmën “Alba Exotic Fruit”, e përmendur edhe në hetime të mëparshme në Greqi për një rast të ngjashëm me 137 kg kokainë.

Ndërkohë, në media qarkullonin regjistrime audio ku dëgjoheshin biseda të Gjikës me njerëz të afërt të pushtetit. Në një raport të Prokurorisë ekuadoriane, emri i tij lidhej drejtpërdrejt me dosjen “León de Troya”, një hetim për trafik droge dhe korrupsion që përfshinte edhe Danilo Carreran, kunatin e ish-presidentit Lasso.

Megjithatë, në janar të vitit 2022, Prokuroria kërkoi mbylljen e hetimit, duke deklaruar se mungonin elementët penalë. Kjo lejoi Gjikën të vazhdonte aktivitetin e tij të paligjshëm pa ndërhyrje.

Rifillimi i hetimeve

Hetimi që e përfshinte atë u rifillua pas vrasjes së partnerit të tij Cherres, dhe kulmoi me operacionet policore “La Pampa” dhe “Gran Fénix XIII”, të zhvilluara në bashkëpunim mes autoriteteve ekuadoriane dhe spanjolle. Operacioni final, i zhvilluar më 6 shkurt 2024, identifikoi Dritan Gjikën si drejtuesin e organizatës kriminale, por ai nuk u arrestua në atë moment. U zbulua se përmes kompanive të tij dhe njerëzve të përfshirë, ai kishte pastruar mbi 30 milionë dollarë në sistemin financiar ekuadorian.


Shtuar 26.05.2025 21:11