Klani “Troplini” dhe përplasja frontale në Durrës me grupin e Emiljano Shullazit

Goditja e grupit të Troplinëve në Durrës, ishte një hap i guximshëm i SPAK, duke shfrytëzuar pjesërisht të dhënat e komunikimeve në platformën elektronike “Sky” ECC të përgjuar nga autoritet drejtësisë në Lilë të Francës.

Anëtarët kryesorë të grupit kanë pasur disa kode komunikimi në këtë platformë, duke biseduar jo vetëm për trafikun e drogës heroinë-kokainë, por dhe për atentate të ndryshme me vrasës me pagesë, emërimi në administratën shtetërore dhe Policinë e Shtetit, tenderat publikë si dhe marjen e lejeve të ndërtimit në Durrës dhe jo vetëm.

Klani i “Troplinëve” në Durrës, njihet si një rreth vicioz që kryesisht aktivitetin e ka pasur në trafikun e drogës dhe në tregtinë e ligjshme që zhvillonte në Durrës.

Xhevdet Troplini (Poja), nipi i tij Elvis Doçi, Fatmir Troplini dhe familjarë e shokë të tjerë të këtyre emrave kanë krijuar një zinxhir biznesesh në Durrës, duke filluar nga supermarketet, bastet sportive, disa kafene, firma ndërtimi e shumë biznese të tjera.

Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, ka mësuar se Elvis Doçi alias “Visi i Pojës” dhe Fatmir Troplini, janë njerëzit që kanë folur sistematikisht në “SKY” dhe kanë mbajtur të fshehur në Durrës, Nuredin Dumanin, bashkëpuntorin e prokurorisë së Posaçme SPAK.

Tashmë Elvis Doçi, është natyralizuar në një biznes të sukseshëm, duke arritur të marë jo vetëm tendera publikë por dhe leje ndërtimi përmes kompanisë “Eldemar Construksion”.

Doçi ka hapur në vitin 2024 kompaninë “ROCK OF KAVAJA” me qëllim:

“…Investime të ndryshme në fushën e hoteleri-turizmit dhe strukturave rezidenciale. Zhvillim, ndërtim, administrim dhe operim i strukturave turistike/hoteliere dhe rezidenciale duke përfshirë këtu hotele, apart-hotele, vila, apartamente banimi,ambiente shërbimi, qendra tregtare, ambiente rekreative dhe argetuese, etj. Shitje dhe dhënie me qira e pasurive të paluajtshme…”.

Në emër të Doçit janë të rregjistruar biznese të tjera si: “Cara Na”, bar kafene “Porside” etj.

Grupi ka mbajtur një profil të ulët mediatik, duke lëvizur më tepër në heshtje, megjithëse për policinë dhe pak gazetarë të Kronikës së Zezë në Shqipëri, letrat ishin hapur prej vitesh.

Për herë të parë Troplinët dolën në titujt mediatikë kur një raport i Ministrisë së Brendshme, informonte Prokurorinë e Krimeve të Rënda, se Emiljano Shullazi dhe grupi i tij kishte ndërmarë veprime për gjobitjen e biznesmenit Xhevdet Troplini.

Këto veprime të Shullazit, nuk u provuan kurrë nga Krimet e Rënda, por ky ishte moment kur klani Troplini tregon fuqinë dhe potencialin e tij për të luftuar dhe qëndruar kundër grupit të Emiljano Shullazit.

Troplinët, futen në luftë frontale me grupin e Emiljano Shullazin që në atë kohë ishte i paprekshëm dhe mbështetej fort dhe nga grupi i Plaurent Dervishaj dhe Lulzim Berishës.

Për shkak të kësaj përplasje në fillim të vitit 2016 në Durrës, pikërisht në lokalin “Porside” rrëmbehet nga një skuadër kriminale me veshje të policisë RENEA, Gazmend Çollaku.

Pas disa ditësh Çollaku u gjend i pajetë, teksa ishte lidhur me tel dhe torturuar në zonën e Fushë-Krujës.

Ngjarja solli ngjarjen, ku për këtë krim u arrestua dhe u dënua me pas me burgim të përjetshëm vetëm Denis Shtraza, një i njohur i Shullazit në Durrës.

Ndërsa u shpall në kërkim Ervin Dalipaj, një ish-punonjës policie në Tiranë. Por një vit më pas nga vrasja e Gazmend Çollakut, vritet në Sukth të Durrësit, Ervin Dalipaj dhe vlonjati Juxhin Dauti.

Sot e kësaj ditë kjo ngjarje ende nuk ka asnjë autor të dyshuar. Për shkak të rivalitetit të madh mes dy grupeve në lojën e kësaj lufte futet dhe Ervis Martinaj, me qëllimin për të dobësuar linjat e forta dhe të sigurta të kokainës që kishin krijuar Troplinët në Durrës dhe vende të ndryshme të Europës.

Mes shumë atentateve, Troplinëve në 22 Maj 2022 ju vra vetëm Arben Mërkuri (Ismaili), i njohur ndryshe me nofkën “Maneci” dhe që ishte skeduar nga policia si vrasës me pagesë.