Berisha ngul këmbë: Zgjedhjet e 11 majit na u vodhën, ishin farsë

Kryedemokrati Sali Berisha nuk pranon rezultatin zhgënjyes të kampit politik që ai drejton, ndërsa gishtin e fajit e drejton tek kundërshtari i tij Edi Rama, i cili sipas tij, i vodhi votat e shqiptarëve më 11 maj.

“Zgjedhjet e 11 majit” ishin një farsë elektorale”.,tha ndër të tjera kryedemokrati Sali Berisha.

FJALA E BERISHËS

Dje u ktheva nga Brukseli, ku mora pjesë në forumin e Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar, organizatë që grupon 87 parti politike të qendrës së djathtë dhe konservatore nga të gjitha vendet e botës.

Qëllimi i këtij udhëtimi ishte mbrojtja e votës së qytetarëve shqiptarë.

Denoncimi i farsës më të shëmtuar elektorale, të 34 viteve të fundit, farsës së zgjedhjeve të 11 majit 2025.

Gjatë dy ditëve të qëndrimit tim në Bruksel, 15 dhe 16 maj, unë pata takime intensive me drejtuesit më kryesorë të Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar, presidentin Stefan Harper, sekretaren e përgjithshme, Tina Mercep.

Ndër të tjera takova shumë miq të vjetër, por dhe miq të rinj udhëheqës të forcave politike kryesore të qendrës së djathtë në Europë dhe botë.

Takova Europarlamentar me interesa për zhvillimin e proceseve elektorale në Shqipëri.

Përfaqësues të rëndësishëm të qendrës së djathtë në Parlamentin Europian.

Në të gjitha këto takime, unë njoha bashkëbiseduesit e mi, me vjedhjen e madhe të hapur dhe publike të votës së qytetarëve shqiptarë, nga narkodiktatori Edi Rama, dhe në këtë aspekt u paraqitën vendimet e qeverisë për bonusin famoz, 100 euro për votë për çdo pensionist, 76 mln euro.

Vendimi për të falur gjobat, 200 mln euro. Punësimet dhjetëra, e mijëra punësime për votë. Dhjetëra mijëra hektarë kanabis për votë. Janë këto akte të cilat rrëzojnë në mënyrë përfundimtare farsën elektorale të 11 majit.

Pa llogaritur këtu ndërhyrjet e fuqishme të krimit të organizuar në 20 bashki të vendit dhe në 10 qarqe. Rezultatet e këtyre ndërhyrjeve kulmuan me më të votuarit e të votuarve në Shqipëri, persona anonim si Sara Mila, Arkend Balla, etj.

Pra, në totalitet do ta përmbledh se çfarë ishin zgjedhjet në Shqipëri me një fjalën e një miku të çmuar të Shqipërisë. Zgjedhjet në Shqipëri, deklaroi ai, ishin të njëjta me ato që kisha parë dekada me parë në Zimbabve, të diktatorit Mugabe.

Nga ana tjetër, së bashku me Fatmir Mediun, në seancën plenare të byrosë ekzekutive ku merrnin pjesë kryetarët dhe përfaqësues e të gjitha partive politike, të aderuara në IDU, ai ishte një rast i artë për të bërë avokatinë e votës së vjedhur të qytetarëve shqiptarë, para lidershipit ndërkombëtar të qendrës së djathtë dhe forcës konservatore.

Në këtë kuadër raporti i vëzhguesve ndërkombëtar, OSBE-ODIHR, Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës, janë një dokument jashtëzakonisht i çmuar.

Por faktet tronditëse të marra nga ky raport dhe gjetjet tona u paraqitën në seancën plenare, të debateve për gjendjen në botë, dhe zgjuan indinjatë dhe dënim nga të pranishmit, të cilët kuptuan se gjendja në Shqipëri, ishte gjendja e një narkodiktature e ngjashme me Venezuelën e Maduros, apo regjime të tjera të ngjashme të drogës dhe krimit.

Si përfundim, mund ti them shqiptarëve se, ky hap i parë shumë i rëndësishëm në mbrojtje të votës së tyre, që vinte pas një seri aktesh madhore të mishëruara me 4 rezoluta që dënojnë narkoregjimin e Edi Ramës, ishte pra edhe një vazhdimësi dhe një sukses tjetër në realizimin e qëllimit tonë.

Beteja për mbrojtjen e votës, është një betejë që do zhvillohet në Shqipëri, por do zhvillohet dhe jashtë saj, por zgjedhjet janë një proces që janë sa kombëtar, aq dhe ndërkombëtar. 

Ne jemi të angazhuar të bëjmë çdo përpjekje për të mbrojtur, për të rikthyer të drejtën e shqiptarëve për të votuar si qytetar të lirë.

Ky është qëllimi më madhor i PD-së dhe opozitës së vërtetë shqiptare. Sot ata që nuk përcaktojnë si qëllimin më madhor këtë objektiv, janë thjeshtë një stoli i narkodiktatorit, altoparlant, apo lakej të tij.

Ne do të qëndrojmë me të gjithë potencialin dhe fuqinë tonë.

Qëndrimi ynë është ky; ne kemi të dhëna të sigurta, të manipulimeve monstruoze që janë bërë me votën e emigrantëve në Greqi, në Itali, në Romë veçanërisht dhe disa zona të tjera, por edhe në ndonjë vend tjetër.

Ne kemi të dhëna, kemi dhe mekanizmin, por ne po ndjekim procesin, sepse ndjekja e procesit, çka do të thotë; qëndrimi në proces është një domosdoshmëri që buron nga respekti për ligjin dhe shtetin ligjor.

Kurse rezultati në kutitë e votimit është i tëri i gatuar nga kriminelë elektoralë të PS-së dhe nuk ka asgjë të bëjë me vullnetin e lirë të shqiptarëve në diasporë. Kjo është e vërteta.

Absolutisht kam bindjen më të thellë, se faktori ndërkombëtar do të qëndrojë i palëkundur në anën e votës së lirë të shqiptarëve. Jam shumë i bindur në këtë.

Janë shumë të paktën ata që për hir të karriges së Edi Ramës, do të pranonin të sakrifikonin të drejtën e votës së lirë të shqiptarëve. Ne do të dokumentojmë çdo blerje, çdo dhunim të hapur, publik dhe të fshehur të ligjeve të vendit. Zgjedhjet ishin farsa elektorale më e shëmtuar e 34 viteve në Shqipëri. Kjo është e vërteta…

Partia Demokratike do të angazhohet si në lëvizje të fuqishme të fuqishme brenda vendit, por dhe në dialog intensiv dhe takime intensive me organizatat ndërkombëtare dhe vendet partnere mike, për të vërtetuar të gjithë shëmtinë e farsës elektorale të datës 11 maj 2025.


Shtuar 17.05.2025 13:17