Pas më shumë se dy dekadash që njerëzit flisnin në Skype, Microsoft ka njoftuar fundin e një epoke, që do të thotë: Mbylljen e Skype, një prej aplikacioneve pioner në komunikimin përmes internetit.
Tanimë, Microsoft po e zhvendos vëmendjen drejt platformave më të sofistikuara dhe moderne si Microsoft Teams. Në një deklaratë zyrtare, Microsoft tha se shërbimet e Skype do të ndërpriten. Përdoruesit ekzistues do të marrin udhëzime se si të transferojnë kontaktet dhe historikun e bisedave në shërbime të tjera të Microsoft, veçanërisht në Teams.
“Ndonëse Skype luajti një rol themelor në formësimin e komunikimit digjital, tashmë jemi të përqendruar në ofrimin e një përvoje të integruar dhe të plotë përmes Microsoft Teams,” tha Jeff Teper, president i “Microsoft 365 Collab Apps & Platforms”, duke shtuar: “Ky kalim pasqyron mënyrën se si njerëzit dhe organizatat komunikojnë sot — me bashkëpunimin, integrimin dhe fleksibilitetin në thelb”.
“Ndërsa hedhim këtë hap të radhës me Teams, jemi entuziastë për mundësitë që na presin. Mezi presim të vazhdojmë të mbështesim lidhjet e përditshme të njerëzve, duke filluar me lehtësimin e hyrjes në Teams, përmes llogarive të tyre në Skype,” përfundon Teper.
S’i themi dot “lamtumirë” pa menduar se sa shpejt kalojnë vitet…