Xhonatan Islami bie me parashutë në miting, nën hetim nga policia

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur gjatë një mitingu elektoral dy ditë më parë në Himarë. Për të impresionuar qytetarët që në fakt s’kanë nevoj për show, Vullnet Sinaj kishte menduar të shoqëronte fjalimin e tij me një spektakël ajror: një parashutist do të fluturonte mbi turmën.

Por ajo që nisi si një shfaqje propagandistike për pak sa nuk përfundoi në tragjedi. Parashutisti, i cili rezulton të jetë 28-vjeçari Xhonatan Islami – i njohur si sportist i aventurave ekstreme dhe partneri i moderatores Roza Lati – humbi kontrollin në momentin e uljes dhe përfundoi i përplasur në një pemë, pranë zonës bregdetare ku ndodheshin edhe shumë pushues.

Fatmirësisht, Islami ndodhet jashtë rrezikut për jetën, megjithatë ka pësuar një dëmtim në këmbë. Ngjarja shkaktoi panik mes qytetarëve të pranishëm, të cilët u vunë në rrezik nga ulja e pakontrolluar e parashutistit.

Policia e Himarës ka reaguar menjëherë, duke proceduar penalisht Xhonatan Islamin për “ulje të rrezikshme dhe të papërgjegjshme në një zonë publike”. Materialet për këtë rast janë referuar tashmë në Prokurori.


Shtuar 5.05.2025 17:21