Berisha: Pas 11 majit do të bëjmë një revolucion fiskal, kompensim qindarkë për qindarkë te eksportuesit për rënien e euros

Në kuadër të fushatës elektorale për 11 majin, ish-kryeministri i vendit dhe njëkohësisht kryetar i PD, Sali Berisha, prezanton planet për biznesin fason: Kompensim për humbjet nga rënia e euros dhe ulje të çmimit të energjisë.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me biznesin fason , ku ka prezantuar disa masa të reja që do të ndërmerren nëse PD-ja vjen në pushtet.

Gjithashtu, Berisha theksoi se një nga prioritetet kryesore do të jetë mbështetja e biznesit nëpërmjet kompensimit të humbjeve nga rënia e euros dhe uljes drastike të çmimit të energjisë.

“Në qeverisjen tonë, do të kemi një revolucion fiskal. Ne do të krijojmë klimën më miqësore për biznesin, dhe kjo nuk është thjesht një premtim, por një angazhim konkret,” tha Berisha. Ai shtoi se një nga masat e para do të jetë kompensimi për çdo humbje që bizneset kanë pësuar nga rënia e euros, duke garantuar që çdo eksportues do të ketë një bord që do të kompensojë “qindarkë për qindarkë” këtë humbje.

Një tjetër masë që Berisha premtoi ishte ulja e çmimit të energjisë për bizneset, nga 18 lekë në 6 lekë për kilovat, një ndryshim që ai e konsideroi si një mundësi të shkëlqyer për të lehtësuar koston e prodhimit dhe për të nxitёn zhvillimin e sektorëve të tjerë të industrisë.

Berisha gjithashtu foli për problemet që ka përjetuar vendi, duke kritikuar politikën e qeverisë aktuale për emigrimin e masiv dhe rënien e lindshmërisë. Ai theksoi se politika e tanishme ka bërë që mbi 600 mijë të rinj të emigrojnë gjatë 10 viteve të fundit, duke sjellë pasiguri në tregun e punës dhe duke zbrazur vendin.

“Rënia e euros është një problem shumë i madh për bizneset që prodhojnë për eksport”, u shpreh Berisha, duke theksuar se qeveria aktuale ka injoruar këtë çështje dhe ka lënë pas dore përpjekjet për të ndihmuar sipërmarrësit.


Shtuar 28.04.2025 14:52