Tërmeti i fuqishëm në Turqi solli pasoja në viktima dhe të plagosur. Bilanci i të plagosurve sa vjen e rritet nga tërmeti 6.2 ballë i së mërkurës në Stamboll. Numri ka shkuar në 236, sipas ministrisë së Shëndetësisë. Lëndimet janë shkaktuar kryesisht nga paniku dhe individët që janë hedhur nga banesa të larta gjatë tërmetit.
Të gjithë të lënduarit po marrin trajtim në spital dhe nuk raportohet për viktima sipas autoriteteve. Tërmeti, me epiqendër në detin Marmara në brigjet e Stambollit, nxiti masa të gjera sigurie në të gjithë qytetin pasditen e së mërkurës. Zyra e Guvernatorit të Stambollit njoftoi një pezullim dy-ditor të mësimit në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme.
Zyra e guvernatorit tha se oborret e shkollave, sallat sportive dhe xhamitë janë hapur për publikun për strehim, pasi shumë banorë iu drejtuan parqeve dhe hapësirave të tjera të hapura, duke marrë parasysh paralajmërimet zyrtare për ndërtesat e plasaritura. Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya tha se tërmeti ndodhi në një thellësi prej 6.92 km dhe zgjati 13 sekonda. Pas lëkundjeve të forta dje, janë regjistruar gjithsej 127 pasgoditje, më e forta prej të cilave ka qenë me magnitudë 5.9, shtoi Yerlikaya. Zyra e guvernatorit tha se asnjë ndërtesë banimi në qytet nuk u shemb, përveç një ndërtese të braktisur në distriktin Fatih.