Në një deklaratë zyrtare, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, ka reaguar me dhimbje për ndarjen nga jeta të Papës së Romës, Françeskut.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, shpreh ngushëllime të sinqerta ndaj klerit dhe besimtarëve të Kishës Katolike, duke vlerësuar kontributin e Papës në shpalljen e Ungjillit dhe angazhimin e tij të pandalshëm për të varfërit dhe të margjinalizuarit.
Në mënyrë të veçantë, Kisha Ortodokse nënvizon përpjekjet e Papa Françeskut, për të afruar Kishat Ortodokse dhe Katolike, duke kujtuar fjalët e tij frymëzuese: “Ecim së bashku si vëllezër në rrugën e mëshirës dhe të dashurisë”.
Duke u mbështetur në fjalët e Shkrimit të Shenjtë, Kisha Ortodokse, lutet që shpirti i Papës të prehet në paqe dhe përfundon mesazhin e saj: “I përjetshëm kujtimi i tij!”.
KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË:
Tiranë, 21.4.2025
MBI FJETJEN E PAPA FRANÇESKUT
Duke marrë pjesë në hidhërimin për fjetjen e Papës së Romës, Françeskut, dëshirojmë të shprehim ngushëllimet tona ndaj klerit dhe besimtarëve të Kishës Romano-Katolike.
Gjatë misionit të tij si prift, peshkop dhe Papë, ai gjithmonë tregoi një përkushtim të thellë ndaj shpalljes së Ungjillit në kontekste të ndryshme gjeografike dhe kulturore, veçanërisht përmes kujdesit të tij të sinqertë për të varfërit dhe të margjinalizuarit.
Veçanërisht vlerësojmë përpjekjet e tij të sinqerta për të nxitur një mirëkuptim më të madh ndërmjet Kishës Orthodhokse dhe asaj Katolike. Sjellim ndër mend fjalët e tij gjatë takimeve me përfaqësuesit e Kishës Orthodhokse: “Ecim së bashku si vëllezër në rrugën e mëshirës dhe të dashurisë”.
Me shpresën tek Krishti i Ngjallur i Cili: “…do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më as vdekje, as zi, as vajtim, as dhimbje, sepse bota e mëparshme mori fund” (Zb. 21:4), lutemi që Zoti ynë, Ati i mëshirshëm, t’i japë prehje shpirtit të tij. I përjetshëm kujtimi!