Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Pllanë të Lezhës. Gjovalin Prendi, babai i Sidorel Prendit, të njohur më shumë si Roan Brahimi u qëllua brenda lokalit në pronësi të tij.
Prendi ka qenë duke konsumuar kafe dhe disa persona kanë ndaluar para tij dhe e kanë qëlluar. Familjarët e kanë dërguar menjëherë në spital por nuk i ka mbijetuar plagëve të marra. Ndërkohë janë publikuar edhe pamjet e para nga vendi i ngjarjes.
Roan Brahimi i njohur si armiku i Ervis Martinajt është ekzekutuar në një atentat në Athinë të Greqisë, më 9 maj të 2024. Brahimi i cili kishte përvetësuar mbiemrin e gruas u vra në sy të saj dhe djalit të tyre të vogël. Asokohe e plagosur mbeti dhe bashkëshortja e tij. Roan Brahimi dyshohet të ketë lidhje edhe me vrasjen Gentjan Bejtjes në 15 mars 2024 në Larushk të Krujës.
Por kush është Roan Brahimi?
Roan Brahimi nuk është emër i panjohur për drejtësinë dhe policinë shqiptare. Kjo pasi Brahimi është një nga personat që dyshohet se ka pasur gisht në antetatin ndaj Ylli Ibrahimit, ku vdiq Klisman Preçi. Roan Brahimi ishte shpallur në kërkim për terrorin që shkaktuan në një lokal në Zejmen të Lezhës ku u futën të armatosur me kallashnikov duke kërkuar pronarin, ngjarje e ndodhur në vitin 2021. Si autorë të së njëjtës ngjarje, janë shpallur në kërkim edhe nipi i deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja, Ramazan Rraja dhe Alesio Dobrozi.
Klisman Preçi dhe Ylli Ibrahimi po lëviznin me një mjet të blinduar, por 108 plumba blindshpues arritën që u futen brenda mjetit. 28-vjeçari Preçi u qëllua i pari, në momentin që ka zbritur nga makina. Pas tij, Ylli Brahimi ka hapur derën dhe ka tentuar të dalë nga mjeti në të cilin ishte si pasagjer, por përballë të shtënave pa ndërprerje që kanë zgjatur afro 3 minuta, ai ka hyrë sërish në makinë për t’u mbrojtur nga plumbat. Preçi humbi jetën ndërsa Ibrahimi mbijetoi. Para prokurorëve, Ibrahimi nuk ka dhënë asnjë detaj nga ngjajra e ndodhur.
Ai po ashtu dyshohet se ka qenë i përfshirë në atentatin ndaj Brilant Martinaj, kushëriri i Ervis Martinajt. Ky i fundit rezulton i zhdukur prej kohësh. Bashkë me Brilant Martinaj humbën jetën dhe dy miqtë e tij, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata, të cilët u ekzekutuan egërsisht. Ngjarja kriminale ndodhi më 17 korrik në 2022 në mbikalimin e Fushë-Krujës.