Programi i PD me subvencione për studentët dhe sipërmarrësit e rinj/ Belind Këlliçi: Shqipëria e së ardhmes është Shqipëria e të rinjve

Ditën e sotme, përmes një reagimi në “Facebook”, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka shpërndarë një mesazh për të rinjtë shqiptarë, duke theksuar se ata kanë qenë gjithmonë zëri i protestës dhe ndryshimit, por për 12 vite u është mohuar vëmendja dhe mjetet politike për të përfaqësuar realisht interesat e tyre.

“Ky brez i inteligjencës artificiale, i mundësive të pamata për zhvillim personal e shoqëror, përballet me paradoksin e jetesës në një sistem që nuk u plotëson asnjë pritshmëri”, shkruan Këlliçi.

Ai nënvizoi se Partia Demokratike, është e angazhuar për të dëgjuar dhe për të reflektuar aspiratat e të rinjve në programin e saj politik.

Ndaj, PD ka përfshirë në program subvencione për studentët dhe sipërmarrësit e rinj, si edhe masa konkrete për modernizimin dhe dixhitalizimin e vendit.

“Të rinjtë sot kanë më shumë nevojë të dëgjohen sesa t’u japim leksione demokracie”, shtoi Këlliçi, duke e mbyllur mesazhin me fjalët: “Shqipëria e së ardhmes është Shqipëria e të rinjve”.

 


Shtuar 14.04.2025 11:38