Kushdo që stërvitet në fushën “Sir Bobby Charlton”, e ka të vështirë t’i shpëtojë barrës të lavdisë së shkuarës. Dhe kur Gareth Southgate është trajneri, atëherë është edhe më e vështirë për lojtarët e Anglisë që të shpëtojnë nga ankthet që mund të vijnë nga përballja me Gjermaninë në një turne. Ishte dështimi i Southgatet nga penalltia kundër Gjermanisë, ai që e pengoi Anglinë të arrijë në finalen e Kampionatit Evropian të vitit 1996 në stadiumin e vjetër “Wembley”.
Anglia kishte pasur humbje nga Gjermania në penallti edhe në Kampionatin Botëror të vitit 1990. Njëzet vjet më vonë, u shtua edhe më shumë agonia e Anglisë kundër Gjermanisë në Botëror kur anglezëve iu anulua një gol padrejtësisht.
Nuk është çudi që rinovimi i rivalitetit me Gjermaninë të martën në 1/8 e finales të “Euro 2020” po zgjon kaq shumë kujtime nga takimet e kaluara në Angli. Kjo ndeshje luhet në Londër prej orës 18:00, por mund të duket se është një rivalitet anësor. Ka pak kuptim në Gjermani për të ndrequr çdo gabim të së kaluarës, pavarësisht nga debati ende nëse goli vendimtar i Geoff Hurstit me të vërtetë e kapërceu vijën fatale përpara se Anglia të fitonte titullin e kampionit të botës në vitin 1966 në “Wembley”. Edhe pse Uwe Seeler, kapiteni i Gjermanisë në finalen e atij viti, tha përpara ndeshjes së 33-të të së martës mes Anglisë e Gjermanisë, se “kjo plagë do të jetë gjithmonë aty”.
Kjo finale prodhoi atë që mbetet trofeu i vetëm i madh ndërkombëtar për Anglinë dhe një pikë referimi në historinë e kombit. Gjermania tashmë kishte fituar Kupën e Botës në atë pikë – në vitin 1954 – dhe ka fituar tre tituj të tjerë që nga ajo kohë para dhe pas bashkimit. Kësaj i shtohen edhe tre tituj kampioni të Evropës dhe mbi të gjitha, shihet se Gjermania ka shumë kujtime të mbushura me lavdi, ndërsa Anglia kapet pas nostalgjisë së vitit 1966 dhe dhimbjes së shkaktuar shpesh nga armiku i saj. E peshën e kësaj ndeshjeje, që vlerësohet historike, e ndjejnë edhe ish-lojtarët e tifozët anglezë.
Southgate ishte pjesë e rregullt e Anglisë dhe ai e humbi atë penallti në gjysmëfinalen e vitit 1996, por ai tashmë u ka treguar futbollistëve të tij për këtë episod dhe ka kërkuar nga ata që ta harrojnë.
“Duhet të fokusohemi në ndeshje, dhe jo në atë se çfarë ka ndodhur”, tha Southgate.
Edhe mesfushori i Anglisë, Kalvin Phillips, tha se ka ardhur koha që të ndryshohet historia.
“Nuk është mirë për Southgaten që e ka humbur një penallti vendimtare, por është një përvojë e mirë për ne, që e kemi rastin të bëjmë diçka fantastike. Dëshira është ta fitojmë këtë ndeshje dhe të shkojmë përpara në Evropian, pasi mund të bëjmë gjëra të mëdha”, tha Phillips.
Ashtu si Phillips, mbrojtësi i krahut të Gjermanisë Robin Gosens nuk ka lindur në vitin 1996.
“Padyshim që kam dëgjuar shumë për atë ndeshje të famshme”, tha ai. “Të mendosh për këtë të jep një ndjenjë të mirë dhe ne duam ta përsërisim atë. Pra, të fitojmë, qoftë edhe me penallti”.
Nëse pyesni shumë lojtarë aktualë të Anglisë për kujtimet e tyre të para të një ndeshjeje kundër Gjermanisë, dhe ata do të pranojnë se është dueli i Botërorit të vitit 2010, kur goli i Frank Lampard e kaloi vijën fatale por nuk u pranua, duke shkaktuar futjen e teknologjisë në linjën e portës.
Thomas Mueller shënoi dy herë në atë ndeshje, të cilën e fitoi Gjermania me rezultatin 4:1. Mueller edhe në “Euro 2020” është pjesë e Gjermanisë dhe njëri prej lojtarëve kyçë.
“Kjo nuk ka asnjë lidhje me ndeshjen e së martës”, tha Mueller. “Disa njerëz do të jenë në gjendje të marrin ndonjë motivim nga kjo, por ne do të futemi për ta dhënë më të mirën dhe për të fituar”.
Ka shumë më shumë afërsi midis Anglisë dhe Gjermanisë sa i përket edhe nivelit të klubeve. Ka trajnerë gjermanë në Premier League, me Juergen Kloppin në Liverpool dhe Thomas Tuchelin në Chelsea, të cilët janë përqafuar shpejt në Angli për inteligjencën e tyre taktike dhe angazhimin e dashur me publikun në gjuhën angleze.
“Karizma që ai ka, shumë njerëz e duan atë edhe nëse je një tifoz neutral”, tha mesfushori i Anglisë, Jordan Henderson për Kloppin, trajnerin e tij në Liverpool. “Ai ka pasur një rol të madh në futbollin anglez”.
Gjashtë nga lojtarët e Anglisë në “Euro 2020” luajnë në Premier League, duke përfshirë dyshen e Chelseat, fituese e Ligës së Kampionëve, Kai Havertzin dhe Timo Wernerin. Një anëtar tjetër i skuadrës së Joachim Loeëit, adoleshenti i Bayern Munichut, Jamal Musiala, në fillim të këtij viti mori vendim për ta përfaqësuar Gjermaninë në nivelin senior, përkundër që ka luajtur me gjeneratat e reja të Anglisë.
“Ishte padyshim një keqardhje që ai shkoi”, tha shefi ekzekutiv i federatës angleze, Mark Bullingham për Musialan.
Në Gjermani, megjithatë, pyesin për lojtarin e Bundesligës që ende nuk ka qenë titullar në skuadrën e Southgatet. Sulmuesi i krahut të Borussia Dortmundit, Jadon Sancho deri më tani ka pasur vetëm një paraqitje në Evropian. Ai ishte një zëvendësues i vonshëm në fitoren e Anglisë kundër Çekisë në fazën e grupeve.
“Kur të kem shansin tim për të luajtur, do të dëshmohem”, tha Sancho. “Unë do t’u tregoj të gjithëve se çfarë mund të bëj. Unë njoh mjaft lojtarë në Gjermani, pasi luaj kundër tyre çdo javë. Kështu që, jam gati për të luajtur në këtë ndeshje, natyrisht nëse trajneri mendon se mund ta jap kontributin tim”.