Familjarët e 24-vjeçares palestineze Rayyan Alwan, e cila u vra nga babai i saj në një shtëpi të marrë me qira, me gjasë nuk do ta tërheqin trupin e saj të pajetë për ta përcjellë për në banesën e fundit.
Burime pranë policisë thanë se përmes oficerëve të kontakt janë informuar të afërmit e vajzës, por asnjë prej tyre nuk ka paraqitur kërkesë apo interes për ta tërhequr trupin e pajetë.
Miqtë e 24-vjeçares të cilët kanë kontaktuar me redaksinë e BalkanWeb, ekonfirmojnë jë gjë të tillë. Sipas tyre, familjarët nuk duan ta tërheqin trupin pasi ka qenë vetë nëna dhe babai i saj që kanë bërë planin për vrasjen e Rayyan Alwan.
Ata kanë kërkuar ndihmën e Neës24 për të kontaktuar me autoritetet shqiptare në mënyrë që trupi i pajetë i së ndjerës të tërhiqet prej tyre dhe të varoset në Gjermani.
“Ne duam ta varrosim këtu në Berlin, por nuk dimë si të procedojmë. Nëna e saj është zhdukur dhe babai i saj ka ikur në Liban”, shprehen ata.
News24 do të kryejë edhe lidhje me miqve të së ndjerës me autoritete shqiptare.
Viktima vijon të mbahet në morgun e Tiranës dhe nëse brenda afateve ligjore, nuk do të tërhiqet nga familjarë apo të afërm, ajo do të varroset në Tiranë.
Ngjarja:
Rayyan dhe Fadi Alwan mbërritën ne Rinas me datë 19 shkurt dhe u vendosën në një banesë me qira në rrugën Gjon Muzaka në kryeqytet. Sipas hetuesve Fadi Alwan pasi vrau 24-vjecaren me disa goditje thike me datë 22 shkurt, u largua nga Shqipëria në drejtim të Greqisë e prej andej në Amsterdam.
Ai dyshohet se është larguar drejt Libanit dhe deri më tani nuk është arrestuar.
Trupi i pajetë i 24-vjeçares u gjet nga pronarja e banesës, 5 ditë pasi autori i dyshuar ishte larguar nga vendi.