Ditën e sotme, kretari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me shoqatat e biznesit, ku ka folur për situatën aktuale të ekonomisë shqiptare dhe masat që do të ndërmerren për ta përmirësuar atë.
Ai theksoi se ekonomia e Shqipërisë është e varur kryesisht nga sektori i ndërtimit, ndërsa ka nënvizuar rëndësinë e promovimit të prodhimit vendas.
Sipas Berishës, prodhimi shqiptar duhet të konsiderohet një “krenari kombëtare”, dhe ai ka shpallur nismën “Made in Albania” për të stimuluar rritjen e prodhimit të brendshëm me cilësi dhe konkurrueshmëri të lartë.
Një tjetër çështje e ngritur nga Berisha ka qenë largimi i të rinjve nga Shqipëria, për të cilin ai tha se shkaku kryesor është situata ekonomike.
Ai ka përmendur gjithashtu problemet që lidhen me turizmin, duke u shprehur se informaliteti masiv që është deri në 80% në këtë sektor, bëhet barrë për qytetarët.
Në fjalën e tij, Berisha gjithashtu ka vënë në dukje se në Shqipëri merren 430 milionë euro taksa nga investitorët strategjikë dhe ka kërkuar një ndërhyrje urgjente në ekonomi, për të realizuar një kthesë rrënjësore në zhvillimin ekonomik të vendit.
Kreu i PD Sali Berisha: Ekonomia jonë mbahet kryesisht nga ndërtimi. Ne kemi shpallur “Made in Albania”, prodhimin shqiptar si krenari kombëtare. Ne do bëjmë çdo gjë që Shqipëria të prodhojë sa më shumë, me sa më shumë cilësi dhe produkte sa më tepër konkurruese. Largimi i të rinjve ka në themel vetëm ekonominë. Sot Shqipëria ka treg të deformuar. Larg së shfrytëzuari në shkallën e duhur është turizmi. Në turizëm ka informalitet rreth 80 përqind dhe pasqyrohet tek qytetari i thjeshtë. 430 milionë euro merren taksa për investitorët strategjikë. Ne e konsiderojmë ndërhyrjen urgjente në ekonomi, për të shënuar një kthesë rrënjësore.