Të japësh dorëheqjen nuk është gjithmonë e lehtë, sidomos kur ke një shef që mund të reagojë me habi, zhgënjim ose edhe nervozizëm.
Por nëse e menaxhon siç duhet, mund ta bësh këtë hap profesional në mënyrën më të qetë të mundshme dhe pa e bërë të sikletshme as për veten, as për të tjerët.
Ja disa hapa për t’ia komunikuar lajmin shefit në mënyrën më korrekte dhe profesionale.
1. Zgjidh momentin e duhur
Mos e lër lajmin për sekondën e fundit ose ta japësh në mes të një krize pune. Nëse është e mundur, kërko një takim kokë më kokë me shefin dhe bëje kur ai/ajo nuk është i/e zënë me afate të rëndësishme.
Kjo tregon respekt dhe i jep kohë ekipit të përgatitet për largimin tënd.
2. Përgatit një shpjegim të shkurtër dhe pozitiv
Nuk është nevoja të hysh në detaje përse po largohesh, sidomos nëse nuk është për arsye pozitive. Mjafton të thuash diçka si:
• “Kam vendosur të marr një mundësi të re që përputhet më shumë me objektivat e mia profesionale.”
• “Pas një reflektimi të gjatë, kam vendosur të marr një drejtim tjetër në karrierën time.”
Nëse ke pasur përvoja të këqija, është më mirë të mos i përmendësh, sepse nuk ka kuptim të lësh përshtypje negative në momentin e fundit.
3. Jep një lajmërim të arsyeshëm
Standardi është të lajmërosh të paktën dy javë më parë, por në varësi të pozicionit tënd dhe marrëveshjes me kompaninë, mund të nevojitet edhe më shumë kohë. Nëse është e mundur, ofro ndihmë gjatë kalimit të detyrave te kolegët e tjerë ose te pasuesi yt.
4. Shkruaj një letër dorëheqjeje
Edhe nëse e ke bërë bisedën me gojë, është mirë të përgatisësh një letër të shkurtër dhe profesionale. Ajo mund të përmbajë:
Datën e fundit të punës.
Falënderim për mundësitë e ofruara.
Një frazë të shkurtër për kalimin e detyrave.
Diçka si:
“I nderuar [Emri i shefit],
Dua t’ju informoj se kam vendosur të largohem nga pozicioni im si [pozicioni yt] në [kompania]. Dita ime e fundit e punës do të jetë më [data].
Dua t’ju falënderoj për mundësitë dhe përvojat e vlefshme që kam fituar këtu. Gjatë kësaj periudhe do të bëj çmos për të siguruar një shkëmbim të lehtë të detyrave.
Me respekt,
[Emri yt]”
5. Mbaj profesionalizmin deri në ditën e fundit
Mos e humb entuziazmin në ditët e fundit të punës. Vazhdimi i punës me përkushtim tregon profesionalizëm dhe lë një përshtypje të mirë. Madje, mund të të ndihmojë nëse një ditë do të të duhet një referencë nga ish-shefi yt.
6. Largohu pa drama
Edhe nëse shefi yt nuk e merr lajmin mirë ose përpiqet të të mbajë me premtime të reja, trego qetësi dhe përmbahu te vendi yt. Mos u fut në diskutime të panevojshme dhe largohu me dinjitet.
Të largohesh nga puna është një hap i madh dhe mund të jetë stresues, por nëse e menaxhon siç duhet, mund të dalësh me kokën lart dhe me një marrëdhënie të mirë me ish-kolegët. Fundja, bota është e vogël dhe s’ke nga e di kur mund të të duhet një derë e hapur në të ardhmen!